Zbulo të panjohurën

20-vjeçarja dyshohet se u dhunua nga katër persona, policia arreston dy të dyshuar

Drejtoria Rajonale e Policisë së Prishtinës, respektivisht, Njësia e Hetimeve të Përgjithëshme, ka arrestuar sot dy persona të dyshuar për një rast të dhunimit të një vajze, që dyshohet të ketë ndodhur në janar të vitit 2021.

Rasti është raportuar në polici më datë 20.01.2021, ku dyshohet se një person (femër e lindur në vitin 2001), është dhunuar nga katër persona të dyshuar, informon policia.

“Që nga dita e raportimit, policia kishte filluar hetimin përfshirë këtu bastisjet në lokacione të ndryshme si edhe ndërmarrjen e një varg veprimesh operativo policore, që rezultuan me identifikimin e personave të dyshuar: – A. O, mashkull, 23 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, si dhe D. R, mashkull, 21 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës”, ka konfirmuar policia për Gazetën Express.

Pas arrestimit me aktvendim të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit janë dërguar në qendrën e mbajtjes prej 48 orësh, ndërkohë që hetuesit policor po punojnë për sqarimin dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.