Zbulo të panjohurën

A mund të ketë luftë në Kosovë?

Sa herë që Vuciq dhe ndjekësit e tij përmendin ‘luftën’ e “konfliktin”, marrin vëmendjen e popujve në Ballkan. Rreth 140 mijë persona kanë humbur jetën në luftërat nga shpërbërja e Jugosllavisë. Serbia, trashëgimtare e ish-Jugosllavisë, u provua përgjegjëse për kryerjen e krimeve kundër popullatës civile në Kroaci, Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kosovë. Vuciq sërish ka ndezur alarmin në Kosovë, me deklaratën se konflikti mund të eskalojë. Por, a ekziston mundësia që njëmend të rikthehet lufta në Kosovë?

Duke deklaruar se do paqe, Presidenti i Serbisë, që dikur ishte ministër i regjimit të Sllobodan Millosheviqit, Aleksander Vuçiq, të enjten në fakt kërcënoi paqen dhe stabilitetin në Ballkan duke thënë se në Kosovë mund të ketë përsëri luftë.

Vuçiq tha se pranon kompromis me Kosovën, por nuk pranon që të poshtërohet. Sipas Vuçiqit, një konflikt i ngrirë sikur ai në mes të Armenisë dhe Azerbajxhanit, patjetër që do të sjellë luftë edhe në Ballkan.

Kaq mjaftoi që të alarmojë Kosovën. Disa gjaknxehtë si ministri Anton Quni e ambasadorja Vlora Citaku i treguan Vuciqit se e presin nëse niset; ndërsa krerët e shtetit, Vjosa Osmani e Avdullah Hoti, kërkuan reagim nga NATO.  Megjithatë, as NATO’ja e as Bashkimi Evropian nuk reaguan ashtu siç kërkuan institucionet e Kosovës.

Misioni i NATO’së në Kosovë dha përgjigje për media deklaratën shabllon se ruan paqen dhe sigurinë në vend, ndërsaZyra për Punë të Jashtme e BE’së i tha Gazetës Express se nuk i komenton deklaratat e interpretuara nëpër media.

“Ne nuk i komentojmë për raportime të mediave apo deklaratat e të tjerëve kur interpretojnë qëndrimet e të tjerëve. Si parim, ne gjithmonë kemi bërë thirrje për aktorët politikë në Serbi, në Kosovë dhe në gjithë regjionin, që të promovojnë një atmosferë të favorshme për stabilitet dhe bashkëpunim”, ka thënë Stano për Gazetën Express.

A janë kërcënim real për luftë deklaratat e Vuciqit?

Eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi, ka thënë për Gazetën Express se deklaratat e tilla nuk kanë karakter serioz dhe qëllimi i vërtetë i Vuçiqit është diku tjetër, e jo lufta.

“Deklarata e Vuçiqit ku situatën Kosovë-Serbi e krahason me konfliktin e Armenisë dhe Azerbajxhanit, nuk janë të karakterit serioz. Kemi parasysh se Vuçiq gjithmonë thërret Këshillin e Sigurisë në rastet si ai i; ‘trenit’, aksionet e Policisë së Kosovës në veri ku u sulmua krimi i organizuar, arrestimi i Gjuriqit. Megjithatë, ai e di kufirin e tij se deri ku mund të lëshojë këso deklarata”, ka thënë Ibishi.

Tutje, Ibishi thotë se deklaratat e tilla kanë për qëllim përfitimet në dialog duke mbajtur situatën në tension.

“Qëllimet e tij janë poenat politikë dhe që situata të mbahet në tension. Përmes këtyre deklaratave, Vuçiq gjithashtu ka për qëllim të arsyetojë edhe investimet e mëdha të Serbisë në ushtrinë e saj, përmes të cilave ka bërë një destabilizuar forcat në Ballkan. Qëllim tjetër i Vuciqit është edhe dialogu ku do të thotë duhet që situata të zgjidhet në mënyrë që një “konflikt” i tillë të mos i lihet gjeneratave të ardhshme”, ka thënë Ibishi për Express.

Deklaratat e ministrit të Millosheviqit morën reagime nga secili zyrtar kosovar në pozita të larta shtetërore, e jo vec në to.

Ushtruesja e detyrës së Presidentit, Vjosa Osmani, kërkoi që ndërkombëtarët t’i reagojnë Vuciqit që po e provokon situatën në rajon. Njëjtë kërkoi edhe kryeministri Avdullah Hoti dhe krydiplomatja Meliza Haradinaj.

“Unë pres që Bashkimi Evropian dhe NATO-ja t’i përgjigjen këtij kërcënimi për luftë të dhunshme, të bërë nga Vuçiq”, shkroi Osmani në Twitter.

Pati edhe reagime të atyre, që donin t’i tregonin Vuciqit se Kosova nuk frikësohet.

Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, tha se Kosova nuk është e interesuar për luftë. Por, nëse lufta është e pashmangshme, Quni siguroi se do të fitohet.

Ambasadorja në detyrë e Kosovës në SHBA, Vlora Citaku, shkroi “Bring it on” në Twitter, që në shqip është pak a shumë si gatishmëri për t’i dalë para.

E përfaqësuesi i OVL-UÇK’së, Faton Klinaku, për Vuçiqin tha se do ta presim agresorin me pushkë, përsëri.

Kontribuuesi më i madh i paqes në Ballkan, SHBA’ja, në shtator ua mundësoi një marrëveshje Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshja e nënshkruar pati karakter ekonomik. Uashingtoni deklaroi se problemet ekonomike do t’i lihen Evropës që të ndërmjetësojë në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti i Francë, Emanuel Macron, dy ditë më parë tha se dialogu Kosovë–Serbi është cështje e sigurisë së Evropës.

Lufta e Kosovës në vitet gjatë viteve 1998-1999, la të vdekur rreth 13 mijë civilë, 1643 të zhdukur, kryesisht shqiptarë. Llogaritet të jenë rreth 20 mijë burra e gra shqiptare që u dhunuan nga ushtria serbe. Paqja u arrit nga ndërhyrja e faktorit ndërkombëtar pasi mbështeti forcat e UÇK’së dhe NATO bombardoi Serbinë për 78 ditë, derisa ushtria e Millosheviqit u largua. Vetëm pas 21 viteve, trashëgimtari i Millosheviqit kërcënon duke thënë se përsëri mund të ketë luftë në Kosovë.