Zbulo të panjohurën

Akraballëku, aspekti tjetër i korrupsionit që përbën problem në Kosovë, thotë Kosnett

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, ka thënë se shteti që ai përfaqëson ka punuar me vite dhe do të vazhdojë të angazhohet që Kosova të ketë sukses në luftën për ndërtimin e sundimit të ligjit.

Në një intervistë për “Zërin” ai thotë se ajo që Ambasada Amerikane ka bërë me vite të tëra, edhe para ardhjes së tij, dhe që do të vazhdojë edhe pas largimit të tij, është nënvizimi i sukseseve në luftën për ndërtimin e sundimit të ligjit, por po ashtu edhe të ndriçojë cepat më të errët.

Kosnett ka inkurajuar të gjithë ata që mund të kenë fakte për persona të përfshirë në korrupsion, të gjejnë mënyrën për t’i raportuar ata nëpër institucione apo edhe në media.

“Do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Ne nuk jemi të vetmit që e kemi këtë përgjegjësi. E kam thënë edhe më parë, kur njerëzit në Kosovë kanë njohuri, jo vetëm akuza dhe dyshime, por njohuri për sjellje kriminale dhe korrupsion, ata duhet të gjejnë mënyrë për t’i raportuar ato gjëra. Nëse nuk ndihen rehat për t’iu drejtuar Policisë ose për të dalë në televizor, mund të flasin me media, ka njerëz në Kuvend me të cilët mund të flasin. Ka mënyra sesi mund të mbrohen përderisa njoftojnë për këto informata. Nuk dua që njerëzit të dekurajohen për luftimin për përmirësimin e sundimit të ligjit në Kosovë, por në këtë diskutim është edhe një aspekt tjetër i rëndësishëm, Agon, e ai është paksa kulturor”, ka thënë ambasadori i SHBA-së.

Ai permendi se Kosova ka edhe një aspekt tjetër të korrupsionit, apo siç u shpreh ai “akraballakut”,  duke theksuar se Kosova ka shumë të rinj të arsimuar e të talentuar, por shpesh ata ankohen se nuk mund të përparojnë nëse nuk kanë lidhjet e duhura politike.

“Flasim për korrupsionin në qeveri, njerëzit që vjedhin para, njerëzit duke bërë presion në gjykata, e kështu me radhë, por aspekti tjetër i korrupsionit në Kosovë që përbën problem është akraballëku, nepotizmi, njerëzit që u bëjnë ndere miqve ose bashkëqytetarëve të tyre dhe e dini shumë mirë se Kosova tani ka shumë të rinj të talentuar, të arsimuar, shpesh që i flasin nga disa gjuhë, që mund të jenë të suksesshëm kudo në botë, por që përpiqen të ndërtojnë jetën për vete dhe familjet e tyre në Kosovë dhe ata ankohen se nuk mund të përparojnë nëse nuk kanë lidhjet e duhura politike, familjare ose gjeografike. Kjo nuk është fshehtësi. Ky është problem që nuk mund të tejkalohet me ambasadat e huaja dhe programet e tyre për përmirësimin e performancës së gjyqësorit”, theksoi Kosnett.

Ai shtoi se Kosova duhet ta marrë këtë çështje më me seriozitet, sepse është problem që duhet të zgjidhet nga të gjithë.

“Mendoj se nganjëherë ka një qëndrim kur njerëzit thonë: Po, nuk është mirë që të gjitha mundësitë u jepen miqve, por të gjithë po e bëjnë këtë, prandaj edhe unë duhet ta luaj lojën e njëjtë. E kuptoj këtë, por duhet ta thyejmë këtë cikël. Sërish, nuk dua të dukem thuajse amerikanët i kanë të gjitha përgjigjet. Edhe SHBA-ja ka shumë probleme, kjo është e qartë, por këto probleme nuk do të zgjidhen duke i injoruar ose duke hequr dorë”, theksoi ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett për “Zeri.info”.