Zbulo të panjohurën

Aksioni i Policisë në Ministrinë e Bujqësisë dhe nëpër komuna, krejt çka dihet deri më tani

Mëngjesin e sotëm, Policia e Kosovës ka nisur një aksion në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Aty janë arrestuar katër zyrtarë të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë. Aksioni ka vazhduar edhe në katër komuna, shkruan Express

Express merr vesh se në këtë aksion është arrestuar ushtruesi i detyrës së kryeshefit të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, Agim Nuha, dhe tre zyrtarë tjerë.

Gjatë bastisjes së sotme, janë konfiskuar disa dokumente brenda kësaj Agjencie.

Pas Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, aksioni i Policisë ka vazhduar edhe në disa prej komunave ku janë shoqëruar Polici zyrtarë të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë.

Në Komunën e Istogut, dy zyrtarë të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë janë shoqëruar në Polici për intervistim.

Aksioni i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës ka vazhduar edhe në Komunën e Gjilanit.

Zyrtarë policorë në këtë komunë kanë bërë të ditur për Express se si në komunat tjera edhe në këtë komunë është duke u zhvilluar aksioni i njëjtë, duke mos dhënë më shumë informacione.

Njësia Speciale është parë edhe në afërsi të objektit të Komunës së Lipjanit.

Express ka tentuar të bisedojë me të parin e Komunës, Imri Ahmeti, por i njëjti nuk është përgjigjur në thirrjet telefonike.

Ndërkohë, një zyrtar i kësaj komune i ka thënë Gazetës se tashmë Policia është larguar nga aty.

“Tani më nuk jemi duke parë policë në komunë”, tha ky zyrtar i komunës.

Ndërkohë, Policia e Kosovës ka deklaruar për Express se pas përfundimit të këtij aksioni, do të dalë me komunikatë zyrtare.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani,ka thënë se informacione shtesë rreth këtij aksioni do të jepen pas përfundimit të operacionit.

“Mund të konfirmojmë se, Policia e Kosovës është duke e realizuar një operacion policor në disa lokacione, në rajone të ndryshme. Informacione shtesë mund të jepen pas përfundimit të operacionit policor”, ka thënë Kelani./GazetaExpress/