Zbulo të panjohurën

Ana e hidhur e festës, një qytetar goditet nga “plumbi qorr”, një tjetër humb dorën nga mjetet piroteknike

Dhjetë qytetarë kanë kërkuar ndihmë në Qendrën Emergjente të QKUK-së në ndërrimin e mot-moteve, si pasojë e festimit armë zjarri dhe ndezje të mjeteve piroteknike.

Adem Jaha, mjek kujdestar në natën e Vitit të Ri, tha se mes të lënduarve është pranuar edhe një qytetar që është goditur nga një “plumb qorr” dhe një tjetër ka humbur dorën nga mjetet piroteknike.

“Është një pacient i goditur me një plumb qorr. Ai është plagosur në regjionin torakal, ndërsa një pacient ka pësuar lëndime nga mjetet piroteknike, amputim i dorës. Diku 10 pacientë kanë kërkuar ndihmë me lëndime nga mjetet piroteknike, lëndime të lehta. Gjendja është stabile për të gjithë të tjerët me përjashtim të atij pacientit që është me plumb qorr dhe që tash pret për diagnostikim të mëtutjeshëm”, tha Jaha për KP.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të ShSKUK-së Valbon Krasniqi, ka thënë se numri i të lënduarve këtë vit është më i vogël se viteve tjera.