Zbulo të panjohurën

Arrestohen tre persona, policia i kapi në flagrancë me mbi 50 kilogramë drogë

Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona në Prishtinë të cilët u kapën me mbi 50 kilogramë drogë.

Operacioni i Policisë së Kosovës i zhvilluar nën masa të veçanta të hetimit vë në pranga tre persona të dyshuar dhe konfiskon mbi 50 kilogramë drogë.

Gjatë ditës së djeshme rreth orës 18:50, në një parking të automjeteve në Prishtinë, Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) e PK-së, pas një hetimi disamujorë përmes aplikimit të masave të veçanta të hetimit ka zhvilluar një operacion policor me ç`rast ka ndaluar tre persona të dyshuar nën dyshimin se kanë kryer vepër penale e sanksionuar me ligj, respektivisht në bazë të nenit 267 të kodit penal të RKS-së “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”

Tre personat e  dyshuar në momentin e ndalimit kanë qenë duke shkëmbyer sasi të substancës narkotike dhe janë arrestuar nga njësitet anti-drogëtë Policisë së Kosovës, shkruan lajmi.net.

Në këtë operacion policor janë sekuestruar:

      51kg ( pesëdhjetë e një kilogram) e 664.6 gr substancë e dyshuar narkotike e cila dyshohet të jetë e llojit Marihuanë,

      3 vetura,

      8 telefona celularë,

      980 euro,30 franga,1 dollar; para të gatshme

Në vendngjarje po ashtu kanë dalë edhe njësiti i forenzikës së PK-së për procedura të nevojshme.

Në lidhje me rastin janë bastisur tri lokacione në Viti dhe gjatë bastisjes është gjetur dhe konfiskuar një armë e gjatë me dy tyta,32 fishekë të kalibrit të ndryshëm dhe 51.9 kg duhan.

Me vendim të prokurorit kompetent tre personat e dyshuar dërgohen në mbajtje për procedura të mëtejme ligjore.

“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar që të punoj me vendosmëri në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, dhe në veçanti të luftoj dukuritë negative dhe aktivitetet kriminale që në një formë apo tjetër rrezikojnë sigurinë dhe shëndetin e qytetarëve tanë”, thuhet në njoftimin e policisë. /Lajmi.net/