Zbulo të panjohurën

Babai nga Prizreni që i vranë djalin rrëfen se gjithçka ndodhi për një vajzë: Djali im i doli zot

Rreth tri javë pas vrasjes së nxënësit të Mjekësisë, Lirim Buduri, mes dhimbjes e mallit për djalin ka folur për herë të parë babai i tij, Shpejtimi.


Në një prononcim për Gazetën Express, babai i 15-vjeçarit tha se nga ajo që e ka njoftuar një polic hetues, zënka ka nisur për një shoqe të klasës së Lirimit me të cilën i ndjeri ka bashkëpunuar për mësime dhe detyra, ndërsa e njëjta është ngacmuar nga dorasi

Nxënësi i shkollës “Luciano Motroni” në Prizren u ther me thikë për vdekje nga shoku i tij i paraleles, pak metra larg shkollës ku vijonte mësimin.

Por çfarë dihet deri më tani për vrasjen që shokoi vendin?

Babai i të ndjerit, ka dhënë versionin e tij nga ajo çfarë ka dëgjuar nga një polic hetues. Teksa i duket i çuditshëm fakti sesi djali i tij në ditën kritike kishte pasur me vete një revole pa plumba.

“Një vajzë e ka ngacmuar personi që e ka vra djalin tim, vajza ka qenë shoqe e klasës së djalit tim me të cilën kanë bashkëpunuar për detyra të shkollës, ky i ka dalë zot asaj….Më pas në ditën e parë të shkollës kanë dal me u merr vesh me kriminelin, djali e ka pas një revole me veti pa plumba, e cila nuk e di sesi i ka ra në dorë, ai ka qenë nxënës shumë i mirë dhe ka fituar në shumë gara të shkollës, por sipas asaj që më kanë thënë se kanë pa policët hetues në pamjet e kamerave, pasi flet me djalin tim, vrasësi shkon me thikë dhe e godet në zemër, sikur me pas informacione se revolja nuk ka plumba, kjo mund të jetë një kurth që s’po e dina sesi ka ndodhur”, tha Buduri.

I pyetur nëse familja e dorasit ka kontaktuar me të pas tragjedisë së ndodhur, Buduri tha se ka dëgjuar që i mituri nuk ka familje dhe nuk është i interesuar të ketë kontakte me ta.

“Me familjen e tij nuk kam kontakte, me sa jam informuar atij i ka vdekur babai, ndërsa nëna i ka shkuar në Gjermani, por edhe nuk dua të kem kontakte me ta”, shtoi ai ndër të tjera.

Tutje, babai i 15-vjeçarit tha se i mungon shumë djali dhe shpesh herë ëndërron që ai të kthehet.

“Shpesh herë ëndërroj që djali im të kthehet, kam qenë shumë i lidhur me të dhe më ka ndihmuar shumë në biznes”.

Ai tha se dhimbja është shumë e madhe, por tani e kanë marrë pak sa vetën.

Pas vrasjes, Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti për të Mitur, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji, ndaj të miturit J.K., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”