Zbulo te panjohurën

Ne zgjedhje garojne 20 parti dhe 4 koalicione

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se është përmbyllur afati për aplikim për certifikim të subjekteve politike dhe për dorëzimin e listës së kandidatëve për deputetë që duan të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që do të mbahen më 6 tetor.

Gjatë këtij afati të vendosur nga KQZ-ja, nga 27 gusht deri më 6 shtator, kanë dorëzuar aplikimin për certifikim dhe listën e kandidatëve gjithsej 25 subjekte politike, prej tyre janë 20 parti politike, katër koalicione dhe një kandidat i pavarur.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një konferencë për media ka njoftuar se nuk ka subjekte politike si iniciativa qytetare që e kanë dorëzuar aplikimin e tyre për t’u certifikuar pjesëmarrje në zgjedhje.

Elezi ka treguar edhe procedurat e mëtutjeshme, njofton Klan Kosova.

“Nga sot, e shtunë, fillon faza e shqyrtimit të të gjitha aplikimeve. Më pas, Zyra për Regjistrim të partive politike paraqet pranë KQZ-së rekomandimet lidhur me aplikimet dhe KQZ-ja do të vendosë për aprovimin apo refuzimin e certifikimit”.

“Vendimarrja lidhur me certifikimin do të bëhet deri më 10 shtator”.