Zbulo të panjohurën

Bekim Jashari bojkoton zgjedhjet

Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari ka njoftuar se nuk do të marr pjesë në procesin zgjedhor.

Jashari ka shkruar në Facebook se pasi që KQZ ka vendosur që të mos lejojë kamerat brenda vendvotimeve ai ka thënë se do  të bojkotojë këtë proces.

“Pas zhvillimeve të djeshme ku si kryetar i komunës kam kërkuar që të mos ndalen kamerat në vendvotime për të pasur një proces të rregullt zgjedhor dhe pasi që KQZ-ja ka marrë vendim që të ndal kamerat, sot kam vendosur që të mos marrë pjesë në këtë proces zgjedhor”, ka shkruar ai./Express/

Postimi i plote:

Të dashur qytetarë, Pas zhvillimeve të djeshme ku si kryetar i komunës kam kërkuar që të mos ndalen kamerat në vendvotime për të pasur një proces të rregullt zgjedhor dhe pasi që KQZ-ja ka marrë vendim që të ndal kamerat, sot kam vendosur që të mos marrë pjesë në këtë proces zgjedhor.

Ky vendim vjen në shenjë proteste ndaj vendimit të KQZ -së, e cila në vend që të jetë në shërbim të mbrojtjes së votës, votimit dhe numërimit të rregullt ajo vendosi që t’i ndal kamerat në vendvotime të komunës sonë. Ndërkohë që liderët e partive politike gjatë votimit shoqërohen nga mediet dhe kjo nuk i pengon KQZ-së.

Prania e kamerave në klasa evidenton çdo parregullsi që mund të ndodhë gjatë procesit të votimit apo numërimit dhe kështu nuk ka aspak të bëjë me shkelje të privatësisë sepse nga kamerat e vendosura në vendvotime nuk shihet hapësira brenda kabinës së votimit dhe kështu votimi është i fshehur.

Kjo dëshmohet edhe nga fotografia e bashkëngjitur më poshtë, e derguar nga njëri nga drejtorët e shkollave të komunës sonë, dje gjatë përgatitjeve paraprake që janë bërë. Askush nuk duhet t’i frikësohet transparencës dhe masave konkrete në shërbim të zhvillimit të një procesi demokratik zgjedhor, përkundrazi vullneti i secilit qytetar është i shenjtë dhe nuk duhet lejuar që të deformohet.