Zbulo të panjohurën

Bekim Jashari publikon video-incizim për Sami Lushtakun: Jasharët e mirë janë Jasharët e vdekur?

Kanë vazhduar përplasjet mes kryetarit të Skenderajt dhe ish kryetarit të kësaj komune Sami Lushtaku.

Gjatë një debati ku Jashari përmendi Sami Lushtakun, nxiti reagimi nga ky i fundit duke vazhduar kështu përplasjen virtuale.

Ndërsa sot Jashari përmes një shkrimi në Facebook dhe një video incizim, tha se Lushtaku nuk kishte respekt për familjen Jashari pasi kishte ofenduar ata pas lufte.

“Paska vazhduar me shpifje e ofendime ndaj meje njeriu që njihet si shembull për veprime të tilla, në fakt këto i dinë më së miri dhe i bënë jo shumë rrallë.  Sa ka pasur e sa ka respekt Samiu për familjen Jashari dëshmohet më së miri me ofendimet që ia ka bërë për familjen time disa herë mbas luftës, e të cilat kanë dalë edhe në media dhe opinioni qytetar i dinë shumë mirë’’, shkroi Jashari.

Sipas Jasharit për Lushtakun Jasharët e mirë janë nëse janë të vdekur.

“E kam dëgjuar edhe në të kaluarën këtë thënie “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur”. A do të thotë kjo edhe për Sami Lushtakun që Jasharët e mirë janë Jasharët e vdekur? Bekim Jashari është i “keq” sepse është gjallë edhe ua ka ndal abuzimin me pushtetin në Skenderaj’’, shkruan tutje Jashari.