Zbulo të panjohurën

Besian Mustafa përgjigjet nëse kishte biseduar ndonjëherë me Rexhep Selimin rreth vrasjes së babait të tij Xhemajl Mustafa

Ministri në detyrë, Besian Mustafa, ka folur për dosjen e babait të tij, Xhemail Mustafa, që ditë më parë u publikua nga Albanian Post.

Ai ka thënë se këtë dosje e ka në dorë Gjykata Speciale dhe pret drejtësi.

Dokumente zyrtare të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë – UNMIK, të siguruara nga Albanian Post, për disa vrasje të pasluftës në Kosovë dhe tentim-vrasje, e përfshijnë një ish-deputet të Kuvendit të Kosovës me inicialet S.R.

Në opinion këto iniciale janë deshifruar, duke thënë se bëhet fjalë për ish-deputetin Rexhep Selimi.

Gjatë intervistës së Besian Mustafës në Kanal10, moderatori e pyeti nëse ka diskutuar ndonjëherë vrasjen e babait me ish-shefin e grupit parlamentar të VV-së i cili tani ndodhet në Hagë.

Mustafa tha se nuk ka biseduar, por shtoi se për të me rëndësi është që të distancohet partia ku ka vepruar ish-deputeti, nëse konfirmohet se ai ka gisht në vrasje.

“E rëndësishme për mua është, nëse ai që ka dhënë urdhër ka qenë anëtar i një partie politike, cili do jetë veprimi i asaj partie politike, të zgjedh ta përjashtojë, ta lëçis atë anëtar, të distancohet nga ai anëtar, të thotë që veprimet e atij anëtari s’kanë të bëjnë me vlerat e partisë ose mund ta heshtin ose ta mbrojnë atë anëtar”, tha Mustafa në Kanal10, shkruan Reporteri.net.

Mustafa u pyet edhe nëse ka takuar ndonjëherë edhe Fadil Suleviqin që përmendet në dosjen e UNMIK-ut, person i cili u gjet i vdekur me 15 janar të këtij viti afër liqenit të Badovcit, për çka tha se nuk e ka takuar asnjëherë.

Mustafa tha se janë përmendur emra të ndryshëm si të mundshëm për vrasjen e babit të tij.

“Janë përmend gjatë këtyre 22 viteve emra të ndryshëm, disa janë të njëjtit disa të ndryshëm, por në fund të ditës po presim drejtësi nga Gjykata Speciale”, tha Mustafa.