Zbulo të panjohurën

Bokseri i njohur shqiptar në përkrahje të kandidates së AAK-së për deputete

Boksieri i njohur shqiptar, ish-kampioni i Zvicrës Arnold Gjergjaj nuk ka qëndruar indiferent ndaj zgjedhjeve që do të mbahen më 14 shkurt në Kosovë. Ai ka kërkuar nga qytetarët mbështetje për kandidaten me numër 64 në listën e AAK-së, Florentina Gjergjaj.


Gjergjaj ka kërkuar mbështetjen për familjaren e tij duke e shpërndarë në Facebook biografinë e saj.

“Me numër 64 për kandidaten për deputete në Kuvendin e Kosovës, Florentina Gjergjaj”, ka shkruar kampioni.

Ai përmes biografisë ka treguar angazhimin e Florentina Gjergjajt për vendin.

Kjo është biografia e Florentina Gjergjat që është shpërndarë nga bokseri:

Shumë nga ju më njihni personalisht, shumë të tjerë vetëm anën profesionale, të tjerë vetëm zërin politik. Andaj sot dua të ndaj me ju Florentinën e profesionit dhe përgatitjes intelektuale e politike.

Unë jam Florentina Gjergjaj, Master i Shkencave Ekonomike në Menaxhment dhe Informatikë, që si pjesë e listës së AAK-së në zgjedhjet e 14 shkurtit, do të kandidoj për deputete.

Për dhjetë vite kam qenë profesoreshë në Qendrën për Aftësim Profesional “Gjon Nikollë Kazazi” në Gjakovë, gjithashtu ligjëruese për dy vite në lëndën Menaxhimi i Financave dhe Kontabilitet në Qendrën për Aftësim Profesional “Don Bosko” Prishtinë. Po ashtu kam qenë analiste e kredive dhe këshilltare e bizneseve në ProCredit Bank dhe anëtare e Komitetit për Politikë dhe Financa në Komunën e Gjakovës.

Pjesë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës jam që nga fillimet e saj, duke qenë Anëtare e Kryesisë së Degës, anëtare e Aleancës së Gruas. Mirëpo besimin tuaj përgjatë kësaj rruge e kam kërkuar për herë të parë në zgjedhjet lokale 2017-të ku edhe dola si femra më e votuar. Besimi juaj më ka zhvilluar edhe më shumë profesionalisht. Unë sot jam më afër jush, më afër shqetësimeve tuaja dhe bashkë do të arrijmë që të bëjmë më shumë për Kosovën tonë.

Vendin tonë mund ta bëjmë më të mirë për të jetuar, por këtë mund ta bëjmë vetëm duke votuar njerëzit më meritor. Shpresoj të jem zgjedhja juaj!