Një qytetar ka raportuar në KALLXO.com se bllokimi i rrugës nga bora po e vështirëson daljen deri te qendra e votimit në fshatin Arllat të Drenasit.
Qytetari që ka raportuar ka dërguar edhe disa fotografi të rrugës “Pika Prita” në fshatin Arllat të Drenasit.
Ai ka thënë se është e pamundur që me vetura të thjeshta të kalohet nëpërmjet kësaj rruge.
Përgjatë kësaj rruge, qytetari deklaroi se janë rreth 25 familje.
Këto janë fotografitë nga kjo rrugë:
Kosova po përballet me një mot me reshje të dendura të borës që nga dita e djeshme.
KALLXO.com raportoi sot se një ekip prej 3 vëzhguesish dhe dy komisionerësh, të cilët janë nisur për në qendrën e votimit në Shalë të Bajgorës, janë bllokuar pasi rruga është e papastruar.
Sot po mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Republikën e Kosovës.
Vendvotimet janë hapur në ora 7:00.
Zgjedhjet e parakohshme vijnë si rezultat i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka urdhëruar mbajtjen e zgjedhjeve të reja pasi ka anuluar vendimin për zgjedhjen e Qeverisë së Avdullah Hotit.