Zbulo të panjohurën

Caktohet data dhe ora e takimit mes Abdixhikut, Kurtit e Osmanit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku të premten do të takohet me ushtruesen e detyrës së postit të presidentit, Vjosa Osmani dhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Këto deklarata Abdixhiku i bëri kur u pyet lidhur me atë se kur pritet të formohen institucionet e reja.

“Besojmë që gjatë javës do të kemi konsolidimin e gjitha organeve drejtuese të LDK dhe më pas do të zhvillojmë dhe konsultimet tona të brendshme dhe zhvillimet politike në vend. Ajo çfarë mund të them se takimin e radhës e kemi të konfirmuar me ushtruesen e detyrës së presidentit dhe kryeartin e VV për këtë të premte 14:30 siç kemi propozuar dhe jemi dakorduar. Deri në këtë kohë do të zhvillojmë diskutime me akterët e brendshëm të LDK-së”, tha Abdixhiku pas homazheve që bëri në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”.

Ndërsa lidhur me qëndrimin e LDK-së për çështjen e zgjedhjes së presidentit, Abdixhiku tha se do të punohet për interesin e Kosovës dhe se do të jenë konstruktiv duke i mbrojtur edhe idetë dhe idealet e LDK-së.

“Meqenëse jemi në këtë tempull këtu mesazhi që dua të përçojë është që do të punojmë për interesin e republikës së Kosovës. Ky interes nënkupton që do të jemi konstruktiv të jemi të afër ndërmjet vete duke i projektuar idetë tona dhe njëkohësisht duke iu shërbyer institucioneve të Republikës së Kosovës, institucionet që janë ndërtuar me sakrificë të madhe të njerëzve tanë në të shkuarën. Prandaj do të jemi konstruktiv duke mbrojtur idetë dhe pozicionet dhe idealet e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ndërkohë që gjatë së hënës presidentja në detyrë, Vjosa Osmani dhe kryetari i VV-së, Albin Kurti kanë pritur në takim ushtruesin e detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj dhe kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj për t’u konsultuar për formimin e institucioneve.