Zbulo të panjohurën

“Çoma lokacionin”, Pacolli qeshet teksa kujton kthimin në Kosovë në kohë pandemie

Kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli ka folur rreth kthimit të tij në Kosovë gjatë kohës së pandemisë dhe masave kufizuese që ishin caktuar nga qeveria Kurti atë kohë.

Pacolli ka thënë se nuk kishte ardhur në Kosovë për ta votuar qeverinë Hoti, por kishte ardhur për punë personale.

“Çoma lokacionin edhe vi të arrestoj. A besoni që unë nuk kam ardhë në Kosovë me e votu qeverinë Hoti, kam ardhë për punë të mia, një prej djemve e kam pasë në Kosovë, e lashë me qëllim për shkak të izolimit më të mirë, ishte mesi i pandemisë. Unë vi për punët e mija, herën e parë që nga viti 92 që kam aeroplan privat, vijë në kryeqytetin tim dhe më është anulu aterimi, për arsye se mbreti ka thënë ashtu”, tha Pacolli.

“Më është dashtë me shku me ateru në Tiranë, shkoj në shtëpinë time e lëshoj televizionin dhe e shoh konferencën e zotrit Sveçla. Ai thotë të lajmërohesh kudo që je, kemi me të arrestu, unë isha i habitur çka ndodhi. Në ora 1 të natës e shoh një postim të Kurtit që thotë se do të shkojë aty ku është Pacolli me drejtorin e Policisë. Ju vjen ndërmend se unë shkoj në bagazhin e veturës së presidentit”, shtoi ai.