Zbulo të panjohurën

Dënohet zyrtari i Komunës së Drenasit për keqpërdorim të detyrës

Gjykata e Mitrovicës e ka dënuar me 6 muaj burg, zyrtarin e Komunës së Drenasit, Kujtim Bekaj. Me pëlqimin e të pandehurit dënimi i është zëvendësuar në dënim më gjobë në vlerë prej 2 mijë euro.

Bekaj akuzohet  se kishte ndërruar vendbanimin të dëmtuarit J.S, me ç’rast sipas Prokurorisë ishte mundësuar zgjidhja e martesës e të dëmtuarit, me nënshtetasen gjermane, ku më pas të dëmtuarit i prishet leja e qëndrimit në Gjermani dhe është kthyer në Kosovë

Sipas Prokurorisë, i pandehuri Bekaj ka bërë ndërrimin e vendbanimit të të dëmtuarit J.S, nga fshati Bllacë i Komunës së Suharekës pa kërkesën dhe dijeninë e tij dhe në kundërshtim me Ligjin për Vendbanimin dhe Vendqëndrimin, thuhet në akuzën e Prokurorisë.

I dëmtuari ishte regjistruar me adresën e vendbanimit në Skenderaj, me ç’rast thuhet se ka lëshuar certifikatën e vendbanimit më 19 janar 2017, ndërsa nga ky veprim ka rezultuar me zgjidhje të martesës në mes të të dëmtuarit dhe bashkëshortes së tij F.S.

Pas kësaj sipas akuzës F.S pranë Gjykatës në Mitrovicë, dega në Skenderaj, ka pranuar aktgjykimin për zgjidhje të martesës dhe e ka dorëzuar në organin kompetent në Gjermani duke bërë që të dëmtuarit J.S t’i prishet leja e qëndrimit në Gjermani ku më pas ai sipas aktakuzës është kthyer në Kosovë.