Zbulo të panjohurën

Detaje ekskluzive për vrasjen në Viti, i dyshuari dhe viktima fillimisht konsumuan alkool më pas eskaloi situata

Xhon Stoshiq dhe Ardian Rexhepi kishin konsumuar alkool në një market në Binçë të Vitisë, pak kohë para se të niste konflikti mes tyre, i cili përfundoi me vdekjen e Stoshiqit, 52 vjeç, pasi u godit me grusht në kokë nga Rexhepi. Kjo është bërë e ditur në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit të Prokurorisë Themelore të Gjilanit kundër të dyshuarit, të cilën e posedon Gazeta Express.

Prokuroria pretendon se atë ditë viktima dhe i dyshuari konsumuan pije alkoolike në një tavolinë të përbashkët dhe pasi dalin jashtë Ardian Rexhepi e godet me grusht në kokë Xhon Stoshiqin, i cili nga goditja rrëzohet në tokë, me ç’rast i shkaktohen lëndime të rënda trupore. Ai për shkak të natyrës së lëndimeve, detyrohet të kërkojë ndihmë mjekësore fillimisht në Shtëpinë e Shëndetit në Viti, pastaj në Emergjencën e Spitalit regjional në Gjilan, mirëpo për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, dërgohet në QKUK në Prishtinë, aty edhe operohet por gjendja e tij shëndetësore vijon të përkeqësohet.