Zbulo të panjohurën

Dikur i dërgonte ushqim UÇK-së, sot asamblist i partisë së kancelarit Kurz

Përveç rasteve të suksesit në profesione, si mjekë, mësues apo pedagogë, kohët e fundit është parë dhe një rritje e numrit të shqiptarëve që na përfaqësojnë në politikën austriake. E kam fjalën për Nisret Bujarin, i cili në janar të vitit 2020 u zgjodh  këshilltar në Bashkinë e Badenit, aty ku jeton e punon prej shumë vjetësh. Zhvilluam një bisedë online dhe me telefon së bashku, pasi për shkak të virusit nuk mund të takoheshim nga afër. Megjithatë, jemi përshëndetur në disa aktivitete të përbashkëta ku ka shqiptarë e njiheshim më parë.

Rrëfimi i Nisretit nis me periudhën më të vështirë të jetës së tij, që lidhet me përjetimet e luftës në Kosovë.

“Në vitin 1998, kur baza e UÇK-së nuk ishte më shumë se një kilometër nga shtëpia ime, unë vija nga Bllaca, ushqeja bagëtinë, kujdesesha për prodhimet bujqësore dhe shkoja në Bellanicë. Isha vetëm 16 vjeç. Më kujtohet se mbushja dy trasta me perime të freskëta nga kopshti ynë dhe ua çoja luftëtarëve të lirisë në mal. Bashkë me familjen shkonim dhe ktheheshim nga fshati ynë. Ca kohë qëndruam në Bellanicë. Kur u kthyem në Duhël, shtëpinë na e kishin djegur”, rrëfen ai.

Nisret Bujari me kancelarin Sebastian Kurz

Loti në sytë e prindërve

Në fakt, më pëlqejnë njerëzit të cilët nuk i harrojnë vuajtjet që kanë kaluar, pavarësisht se sot mund të jenë dikush në jetë. Madje mendoj se personat e suksesshëm vijnë si rezultat i ngjarjeve të dhimbshme që kanë parë e ndjerë në të shkuarën e tyre. Ky është një tregues se ne shqiptarët çajmë kollaj kudo, e na jepet ndoresh të bëjmë gjithçka, vetëm sepse kemi vuajtur e jemi rrahur që herët nga jeta. Ishte vetëm 17 vjeç kur vendosi të emigrojë në Austri pas luftës, dhe tek kujton prindërit që e përcillnin, thotë se “kur pashë sytë me lot të tyre mu duk sikur pash sytë e Kosovës.” Në këtë sfidë në vend të huaj ai nuk ishte vetëm pasi shoqërohej nga kushërinjtë dhe vëllai i tij. Kur erdhi në fillim punoi kamerier, banakier në restorante të ndryshme dhe po ashtu ka kryer ushtrinë prej 8 muajsh në Austri.

Por si filloi përfshirja e Nisretit në politikë? 

Në zgjedhjet parlamentare të Austrisë në vitin 2015, unë e përkraha Znj. Carmen Jeitler të zgjidhet deputete duke sensibilizuar opinionin e qytetarëve shqiptarë dhe komuniteteve të tjera. Znj. Jeitler, më ka përkrahur të futem në politikë dhe të jem kandidat i partisë ÖVP për Asamblenë Komunale të Badenit. Për kandidat të këshillit jam propozuar nga kryetari i partisë së ÖVP të Badenit. Më kanë mbështetur anëtarët e partisë ÖVP, ndërsa jam zgjedhur nga vullneti i mirë i qytetarëve. Nuk ka më kënaqësi se sa të vlerësohet kontributi dhe angazhimi i kandidatit që do përfaqësojë publikun e gjerë, mendimet, propozimet dhe realizimet e detyrave përballë çdo qytetari”- shprehet ai për albinfo.ch.

Me kryetarin e Parlamentit austriak, Wolfgang Sobotka

Motivon bashkëkombësit të inkuadrohen në jetën politike

Sigurisht që shqiptarët kanë qenë përkrahësit më të mëdhenj të Nisretit në zgjedhjen si këshilltar. Pa ta do të ishte e pamundur ta fitonte këtë garë prandaj ai me këtë rast i falënderon të gjithë bashkëkombësit të cilët e kanë votuar pa asnjë rezervë.

Nga profili i tij në rrjetet sociale kam vënë re që Nisreti i nxit shumë shqiptarët që të marrin pjesë nëpër votime, që të kenë përfaqësues në organet e larta që kanë si qëllim integrimin e të gjithë komuniteteve e kulturave të ndryshme. Së bashku me shqiptarë të tjerë që kanë poste të tilla, ai tregon se po bashkëpunojnë për ndërtimin e një platforme ku të gjithë të bëhen bashkë duke lobuar për vendin tonë me autoritetet austriake.

Përveç karrierës në politikë, Nisreti drejton dhe një biznes për “Mirëmbajtje Kopshti” ku ka dhe të punësuar. Duke qenë kaq mirë i integruar në Austri, në vendin ku ka kaluar më shumë pjesë të jetës se në Kosovë, ai shprehet se nuk është ndier asnjëherë i diskriminuar. “Kurrë nuk kam qenë i diskriminuar në Austri dhe kam pasur përkrahje të vazhdueshme nga miqtë tanë austriakë. Edhe këshilltarët e të gjitha partive në Austri na respektojnë dhe gëzohen për arritjet tona si shqiptarë. Personalisht si një i individ i zgjedhur me votat e shqiptarëve, mbaj raporte shumë të mira me fqinjët e mi austriakë, por edhe me klientët, të cilët më njohin duke e respektuar personalitetin tim. Përveç shqiptarëve që janë dominues në zgjedhjen time si këshilltar, më kanë përkrahur edhe shumë austriakë, hungarezë, çekë, rumunë, turq, etj. të cilët i falënderoj nga zemra.”

“Jini vetvetja dhe punoni për integrim”

Në fund të bisedës sonë ndalojmë tek ambiciet dhe si e sheh ai të ardhmen në fushën e politikës. Në përgjigjet e tij më bën përshtypje pasi ishte gjithmonë mirënjohës për shqiptarët që e zgjodhën dhe në nivele qendrore do të përpiqet të jetë një zë më i fortë se në nivelin lokal. Duke qenë se është përzgjedhur dhe si Ambasador i Integrimit, do të shpalosë opinionin e tij për integrimin e barabartë të të rinjtë.

Këshilla që ka Nisreti për bashkëkombësit është: “Jini vetvetja! Punoni shumë. Angazhohuni në proceset demokratike dhe ato të integrimit. Dilni në votime për të pasur edhe ne përfaqësuesit e duhur në shtetin austriak. Respektoni pa dallim komunitetet e tjera. Duajeni njëri-tjetrin dhe vendin Tuaj për t`u bërë qytetarë të botës së civilizuar. Vetëm së bashku mund të arrijmë gjithçka që të nderojmë veten dhe kombin tonë.”

Të shpresojmë që Nisret Bujari të jetë një shembull se nuk ka rëndësi nga vjen apo çfarë periudhash të vështira ke provuar mbi shpinë. E rëndësishme është të mos rreshtim kurrë së punuari për atë që duam. Politika është një prej fushave ku mund të tregojmë vlerat tona më së shumti, prandaj na duhen më tepër përfaqësues që na bëjnë krenarë në organe vendimmarrëse.

Box 1

Trastat me perime të freskëta ua dërgonte luftëtarëve të lirisë

“Në vitin 1998, kur baza e UÇK-së nuk ishte më shumë se një kilometër nga shtëpia ime, unë vija nga Bllaca, ushqeja bagëtinë, kujdesesha për prodhimet bujqësore dhe shkoja në Bellanicë. Isha vetëm 16 vjeç. Më kujtohet se mbushja dy trasta me perime të freskëta nga kopshti ynë dhe ua çoja luftëtarëve të lirisë në mal.

Box 2

Kurrë nuk është ndier i diskriminuar në Austri                  

Përveç karrierës në politikë, Nisreti drejton dhe një biznes për “Mirëmbajtje Kopshti”, ku ka dhe të punësuar. Duke qenë kaq mirë i integruar në Austri, në vendin ku ka kaluar më shumë pjesë të jetës se në Kosovë, ai shprehet se nuk është ndier asnjëherë i diskriminuar.