Zbulo të panjohurën

Djali i ish-Presidentit Thaçi del me deklaratë publike në emër të familjes

Familja e ish-presidentit Thaçi i ka falënderuar të gjithë qytetarët e Kosovës për mbështetjen dhe solidarizimin me ta pas konfirmimit të aktakuzës nga Specialja për Thaçin.

Djali i ish-presidentit Thaçi, Endrit Thaçi, përmes një deklarate që u është dërguar mediave, ka shprehur mirënjohje për mbështetjen dhe interesimin që qytetarët po tregojnë për ish-presidentin Thaçi.

“Familja jonë është shumë krenare me kontributin në këto tri dekada të birit, vëllait, bashkëshortit dhe babait tonë për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin. Besojmë në drejtësinë ndërkombëtare dhe jemi të bindur se asnjë pretendim, sado dashakeq që mund të jetë, nuk mund ta ndryshojë historinë e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në deklaratë.

Kjo është deklarata e plotë e Endrit Thaçit, djalit të ish-presidentit Thaçi:

Qytetarë të nderuar, familjarë të dashur,

Në emër të familjes Thaçi ju falënderoj të gjithëve për mbështetjen dhe solidarizimin tuaj në këto ditë jo të lehta për familjen tonë.

U jemi thellësisht mirënjohës për mbështetjen e madhe dhe interesimin e pareshtur që keni treguar dhe po vazhdoni të tregoni për babain tim, themeluesin e UÇK-së, presidentin e vendit tonë.

Të gjithë jemi të indinjuar e të mërzitur, por edhe shumë të bindur se ashtu siç ka punuar dhe ka ditur ta mbrojë përherë luftën e UÇK-së, popullin dhe shtetin tonë, së bashku me bashkëluftëtarët e tij do të dijë ta mbrojë edhe tash përballë këtyre akuzave monstruoze që padrejtësisht po rëndojnë mbi ta.

Asnjë proces nuk do të mund ta njollosë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila ishte dhe do të mbetet përjetësisht e shenjtë.

Familja jonë është shumë krenare me kontributin në këto tri dekada të birit, vëllait, bashkëshortit dhe babait tonë për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin.

Besojmë në drejtësinë ndërkombëtare dhe jemi të bindur se asnjë pretendim, sado dashakeq që mund të jetë, nuk mund ta ndryshojë historinë e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Të qëndrojmë të fortë dhe të unifikuar!