Zbulo të panjohurën

Dorëzohet Driton Selmanaj, kërkon falje për deklaratën për të pagjeturit

Zëvendëskryeministri i vendit, Driton Selmanaj ka kërkuar falje pas deklaratave të tij lidhur me çështjen e të pagjeturve për të cilën kishte shumë reagime madje u kërkua edhe shkarkimi i tij.

Selmanaj tha se kushdo që është ndjerë i fyer apo i lënduar i kërkon falje publike.

“Kushdo që në njëfar forme është ndjerë i fyer ose i lënduar nga deformimet, shtrebërimet që më janë bërë fjalëve të mija, i kërkoj falje publike. Për mua Saranda Bogujevci, Besarta Jashari, Gramoz Berisha dhe jo vetëm janë historia e gjallë e këtij vendi, këta janë vetë populli i Kosovës”, tha Selmanaj në Rubikon.

Selmanaj po ashtu tha se është shantazhuar dhe linçuar publikisht nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ai tha se kur Qeveria Hoti ka vendosur të punojë për çështjen e të pagjeturve, atëherë ata po sulmohen më së shumti.

“Unë s’kisha çka të shtoja. Në Kosovë është folë 21 vjet për çështjen e të pagjeturve dhe është punuar minimialisht nga të gjitha qeveritë pothuajse. Dhe për çudi kur kjo qeveri ka vendosur të punojë në këtë drejtim, sulmohemi më së shumti”, tha Selmanaj.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Driton Selmanaj, teksa ishte duke folur rreth çështjes së të pagjeturve dhe përplasjeve që kanë ndodhur në seancën e Kuvendit, ka thënë se është i lodhur duke dëgjuar për këso raste. E kjo deklaratë e tij mori reagime të shumta nga politikanë të Kuvendit të Kosovës.