Zbulo të panjohurën

Drejtori i Spitalit të Gjakovës i reagon ashpër deputetit të LVV-së: Turp, nuk fitohen votat në pandemi

Nga Spitali i Gjakovës në një përgjigje për Gazetën Express, drejtori Hilmi Shala ka reaguar pas lajmeve se janë duke u përballur me mungesë të oksigjenit për pacientët e shtrirë që po trajtohen pas infektimit me COVID-19.

Ai në një përgjigje për Gazetën Express ka thënë se është e turpshme se si deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha, po ngre panik te qytetarët e Gjakovës e në veçanti te pacientët e hospitalizuar.

“Turp për deputetin Agon Batusha, i cili ngre panik te qytetarët e Gjakovës, në veçanti te pacientët e hospitalizuar”, thotë ai.

Shala thotë se paniku që po shkaktohet po ua rëndon pacientëve gjendjen shëndetësore.

“Ai duhet ta dijë dhe të kuptoj se panika nuk i ndihmon pacientët, vetëm iu rëndon gjendjen shëndetësore. Nuk fitohen votat me pandemi, nuk përfitohet nga gjendja e cila është në krejt votën”, thotë Shala.

Drejtori i Spitalit të Gjakovës tutje ka thënë se është turp që të shfrytëzohet pandemia.

“Turp kushdo që e shfrytëzon pandeminë, vetëm nëse jemi të bashkuar mund ta fitojmë këtë luftë biologjike”, thotë ai.

Mbrëmë në media është raportuar se në Spitalin e Gjakovës ka mungesë të oksigjenit për pacientët që janë duke u trajtuar me COVID-19.

Për këtë çështje ka folur ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në TV Dukagjini, derisa është pyetur nëse është i vërtetë lajmi dhe thirrja që kanë marrë nga një mjek i këtij spitali se kanë oksigjen vetëm edhe për gjashtë orë.

Zemaj ka thënë se furnizimet janë të rregullta, e se lajmet për mungesë oksigjeni janë të pavërteta.

“Po mungesa ka pasë në vazhdimësi, ta quaj, po furnizimet janë të rregullta, me këto kapacitete që i ka nuk ka ndonjë shqetësim, nuk e di pse po e bën këtë pyetje.

Për mungesën e oksigjenit në spitalin e Gjakovës ka shkruar mbrëmë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha.

“Që disa ditë jemi duke reaguar dhe duke kërkuar oksigjen për Spitalin Rajonal të Gjakovës dhe asgjë. Jetët e njerëzve po rrezikohen nga moskokëçarja juaj, mjekëve dhe infermierëve po ua pamundësoni punën. Jeni përgjegjës si institucion dhe si zyrtar për këto punë. REAGONI! OKSIGJEN sillni… urgjent madje”, ka thënë ai.

Batusha ka reaguar përsëri pas këtij lajmi, duke thënë se 48 bombola të oksigjenit janë siguruar pas raportimit.

“Pas disa telefonatash dhe kontaktesh me institucionet, më informuan që 48 bombola me oksigjen janë siguruar për Spitalin Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë për sonte. Kjo gjendje që po ndodh jo rrallë herë në spitalet tona duhet të marrë fund duke siguruar sasi të mjaftueshme për shërbim dhe sasi të konsiderueshme rezervë për përdorim emergjent të oksigjenit. Nuk i meritojnë pacientët këto situata panike sepse mjaftueshëm shqetësim kanë nga virusi. Shërim të shpejtë gjithë të infektuarve dhe dhashtë Zoti që të mos kemi më viktima në vendin tone”, ka thënë ai. /