Zbulo të panjohurën

E bëri për spital fëmijën njëvjeçar dje, e rrahu sërish në QKUK – arrestohet nëna nga Podujeva

Një njëvjeçar që nga dita e mërkurë është i shtrirë në Klinikën Neurokirurgjie në Qendrën Klinike, Universitare të Kosovës (QKUK). E krejt kjo si pasojë e lëndimeve që ka marrë nga goditjet e rënda të cila dyshohet se ia shkaktoi nëna e tij.

Të njëjtën vepër e njëjta dyshohet se e ka kryer edhe sot, kësaj here në ambientet e QKUK-së.

Rastin për Express e ka konfirmuar Flora Ahmeti nga Policia e Kosovës.

Ajo tha se e njëjta e ka përsëritur veprën penale, me ç’rast është ndaluar nga Policia e Kosovës për 48 orë.

“Me  datën 12.03.2021 në ora 14:00, me urdhër të prokurorit të shtetit  është arrestuar dhe më pas  ndaluar për 48 orë e dyshuara , pasi  që e njëjta dyshohet se  sot rreth orës 10:00, e kishte përsëritur veprën”, thuhet në njoftimin e saj.

Se nëna e njëvjeçarit ka ushtruar dhunë të vazhdueshme ndaj fëmiut të saj ka pohuar edhe bashkëshorti i saj.

Ai në një deklaratë për T7, ka konfirmuar se dhunë ndaj njëvjecarit ka shkaktuar bashkëshortja  e  tij.

“Kur e kam pa djalin pa vetëdije. E mora me cu të mjeku. E lajmëruam policinë. Ata nuk morën aq shumë masa, Gruan menjëherë e kanë lëshuar”, tha ai dje.

Ndër të tjera ai tha që kjo nuk është hera e parë që bashkëshortja ushtron dhunë mbi fëmijët e tyre.

Madje para një kohe djegie të rëndë në fytyrë i kishte shkaktuar edhe fëmijës së dytë.

“Vallahun tre ka ndodhur por në këtë la ushtruar më shumë dhunë”, ka thënë më tutje ai.

Ai tha që Policia nuk ka ndërmarrë asnjë hap për bashkëshorten.

Tutje u shpreh që ai nuk dëshiron të vazhdojë martesën më bashkëshorten e tij për shkak se kjo dhunë në tre fëmijët e tyre është e pranishme çdo ditë.

Detaje për gjendjen shëndetësore dje ka dhënë edhe drejtori i klinikes ku po qëndron i shtrirë fëmija.

“Është bërë dy herë incizimi i kokës dhe tomografia dhe është parë që ka thyerje të kafkës në anën e djathtë dhe ka edhe gjakderdhje nën cipën e trurit”, ka thënë ai, Arsim Morina, drejtor i Klinikës Neurokirurgjike.