Zbulo të panjohurën

E konfirmon Policia zyrtarisht, jep detaje për vdekjen e Fadil Syleviqit

Policia e Kosovës e ka konfirmuar lajmin e Reporteri.net se ish-zyrtari i saj, Fadil Syleviq është gjetur i vdekur sot në afërsi të Liqenit të Badovcit.

“Sot, më 15.01.2021, pak pas orës 14:00, policia është njoftuar për një rast që ka ndodhur në rrugën që shpie nga Mati për te liqenin e Badovcit, ku një person dyshohet se është pa shenja jete”, ka thënë Policia.

Sipas zëdhënësit të Policisë, Bajram Krasniqi policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, ka kontaktuar familjarët e personit, si dhe ka ftuar prokurorin e shtetit dhe ekipet e mjekësisë urgjente.

“Ne vendngjarje mjekët kanë konstatuar se trupi i viktimës është i pajetë. Viktima është: F.S, mashkull. Ekipe të hetuesisë dhe krim-teknikës edhe në këto momente janë duke shikuar vendin e ngjarjes. Për informata të reja do t’ju njoftojmë me kohë”, ka thënë ai.

Për këtë rast është deklaruar edhe Kryeprorkuroi i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Kujtim Munishi.

Munishi ka treguar se prokurori është nisur për në vendngjarje për të parë se çfarë ka ndodhur.

“Prokurori është nisur në vendin e ngjarjes për të parë se çfarë ka ndodhur. Policia është në vendin e ngjarjes. Ai është gjetur diku në mal i vdekur”, ka thënë Munishi

Ndryshe, Syleviqi ka qenë i thirrur si dëshmitar nga Tribunali Special në Hagë.

Ai ka qenë pjesëtar i Policisë së Kosovës, ndërsa emri i tij është i njohur sepse ka qenë pjesë e akuzave publike.