Zbulo të panjohurën

E quajti kriminel, por Haradinaj ia kthen me ‘bukë’ Gërvallës: Unë asnjëherë s’do të polemizoj me pasardhësit e heronjve, por do të ndjekë rrugën e tyre

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, në një status të gjatë në Facebook ka thënë se nuk do e lejoj asnjëherë veten që të futet në debate me fëmijët e heronjve të kombit shqiptar.

Pas një debati që u ndez pasi në skenë doli një deklaratë e vjetër e ministres së Jashtme Donika Gërvalla ku thoshte për ish-krerët e UÇK-së se ishin kriminelë, pati shumë reagime nga njerëz të sferave të ndryshme. Mirëpo Haradinaj thotë se ai nuk e sheh të udhës që të polemizojë me fëmijë të heronjve.

“Gjithmonë kam qenë mirënjohës dhe i përulur para veprës dhe sakrificës së atdhetarëve, veprimtarëve politikë, heronjëve e dëshmorëve të kombit, të të gjitha periudhave historike. Në këtë mënyrë jam edukuar si fëmijë dhe kjo edukatë më ka përcjellur tërë jetën time. Mbetem i vendosur në këtë rrugë, pavarësisht rrethanave që mund të na sjell e ardhmja. Për interesin e kombit dhe shtetit, gjithmonë kam tejkaluar vetveten dhe kam kapërcyer kufijtë partiak. Ne kemi mjaft armiq që përpos se dëshirojnë ta tjetërsojnë të kaluarën tonë të lavdishme, provojnë edhe sot që të nxisin përçarjen e brendshme dhe të krijojnë opinione në të cilat demonizohen personalitetet e shquara historike, si pjesa politike ashtu edhe pjesa ushtarake. Në rastin e Luftës Çlirimtare, ne duhet të bëhemi bashkë, jo ta mbrojmë, sepse nuk ka nevojë për mbrojtje, por për ta prezantuar ashtu siç është: të pastër e vetmbrojtëse, ku në njërën anë ishin bijtë e bijat të rreshtuar në UÇK, që mbronin familjet e tyre, tokën e stërgjyshërve dhe të drejtën për të jetuar të lirë e me dinjitet; e në anën tjetër ishte agresori që erdhi nga një vend tjetër dhe tentoi që përmes gjenocidit ta zhbëjë qenien shqiptare nga trojet e veta”, ka shkruar ai.

Ai tutje shton se veprimtarët e kombit kanë kaluar nëpër rrugë të ëvshtira për të arritur lirinë dhe shton se fëmijët e këtyre njerëzve shpeshherë nuk e kanë arritur lartësinë e paraardhësve.

“Pasardhësit e personaliteteve të shquara, që kanë marrë pjesë apo edhe i kanë udhëhequr përpjekjet tona për çlirim, kanë kaluar në situata shumë të vështira jetësore. Mbetja pa prind në kohëra shumë të vështira, kur Kosova ishte ende e okupuar e kur Shqipëria ishte e pazonja për shkak të problemeve të shumta dhe krizave, ka qenë një sfidë e madhe, pasi që ka rezultuar me mungesën e përkujdesjes shtetërore dhe shoqërore për fëmijët e heronjve. Andaj, jo për shkak të mosdedikimit të tyre për Atdheun, por për shkak të sfidave e pengesave jetësore, një numër i madh i tyre kanë qenë në pamundësi të dëshmohen gjithëherë në lartësinë që kishin prindërit e tyre. Unë asnjëherë nuk do e lejoj veten që të polemizoj me pasardhësit e heronjëve, por, gjithmonë do e ndjek rrugën e tyre në shërbim ndaj Atdheut. Deri në frymën e fundit!”, thotë Haradinaj.

Ndërkohë, vëllai i Ramush Haradinajt, Dauti kishte reaguar ndaj deklaratës së Donika Gërvallës duke thënë se ai ksihte luftuar për flamurin e Jusuf Gërvallës dhe nuk ishte kriminel.