Zbulo të panjohurën

Elezi: Rinumërimi drejt fundit, të dielën mund të nis numërimi i votave me kusht

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është në fund të procesit të rinumërimit të 552 vendvotimeve për të cilat mori vendim ky institucion, raporton Ekonomia Online.

Deri të shtunën pasdite janë rinumëruar rreth 88% e tyre apo 487 vendvotime. Të tjerat, 65 sosh, pritet të rinumërohen deri sonte në mesnatë.

Kjo është bërë e ditur në një konferencë për media nga Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Ai ka thënë se KQZ-ja po punon shumë që nesër gjatë ditës “të mund të fillojmë me numërimin e rreth 31 mijë e 500 votave me kusht dhe rreth 2 mijë e 800 votave të personave me nevoja të veçanta. Pastaj, edhe me numërimin e votave të cilat kanë ardhur përmes postës”.

Elezi ka njoftuar se të premtën në mesnatë, shërbimi votues i KQZ-së ka përmbyllur procesin e vlerësimit të rreth 43 mijë e 500 pakove të supozuara me fletëvotime të cilat kanë ardhur nga jashtë Kosovës nga data 2 deri më 12 shkurt.

“Sipas të dhënave preliminare, janë aprovuar rreth 53 mijë e 600 zarfe me fletëvotime, ndërsa janë refuzuar rreth 20 mijë e 400 zarfe. Këto janë vetëm të dhëna preminare, sepse shërbimi votues është duke rishikuar bazën e të dhënave nga ku do të kemi shifra të sakta dhe përfundimtare të numrit të fletëvotimeve nga jashtë vendit, të cilat do të numërohen këtu në QNR”, tha Elezi, raporton EO.

Sipas KQZ, numri më i madh i zarfeve të refuzuara ka ardhur pasi që ato janë dërguar nga persona që nuk kanë qenë të regjistruar si votues jashtë Kosovës, apo nga persona që nuk kanë arritur të regjistrohen si votues jashtë Kosovës sepse nuk kanë plotësuar kriteret ligjore.

Sipas KQZ-së, ka edhe shumë raste kur zarfet janë refuzuar pasi votuesit i kanë dërguar nga dy herë.