Zbulo të panjohurën

Familjarët s’mund t’i vizitojnë Thaçin dhe të tjerët në paraburgimin e Hagës

Ish-udhëheqësit politikë e ushtarakë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë, aktualisht mund të kontaktojnë me familjarët dhe të afërmit e tyre vetëm përmes video-thirrjeve.


Gjykata Speciale në një përgjigje për Gazetën Express ka treguar se aktualisht familjarët e atyre që po akuzohen dhe po mbahen në paraburgim në Hagë nuk mund të vizitohen fizikisht nga askush. Specialja thotë se ua paguan të paraburgosurve një pjesë të arsyeshme të

“Në përgjithësi, vizitat personale në institucionin e paraburgimit aktualisht nuk janë të mundshme për shkak të masave në lidhje me COVID-19. Në vend të kësaj, për të lehtësuar kontaktin e rregullt me familjen dhe të dashurit, DHSK lehtëson takimet përmes lidhjeve video dhe paguan për një numër të arsyeshëm të thirrjeve telefonike për të arrestuarit”, tha zëdhënësja e Speciales, Angela Griep.

Shtatë ish-udhëheqës politikë e ushtarakë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) po akuzohen për një sërë veprash, nga ato për frikësim të dëshmitarëve që rëndojnë mbi ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës e deri te vrasjet dhe trajtimi mizor i njerëzve, për të cilat akuzohen ish-krerët e UÇK-së si Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi e Salih Mustafa.

Objekti i Paraburgimit i Gjykatës Speciale ndodhet në kompleksin e burgut Haaglanden në Hagë. Ky burg është unik në Holandë dhe i vetmi ku për të paraburgosurit ofrohen 24 orë në ditë shërbime të trajtimit fizik dhe psikiatrik. Haaglanden është i vendosur në Scheveningen dhe mund të strehojë rreth 200 persona.

Sipas rregullave të brendshme të burgut Haaglanden, vizitat për personat që mbahen në këtë objekt, zakonisht janë një orë në javë.

Trajtimi në paraburgimin ku po mbahen ish-krerët e UÇK-së

Në këtë paraburgim janë edhe disa qendra të shëndetit, ku për të hyrë dhe dalë nga to duhet të kalohen disa kontrolle që nisin përmes biometrisë me skanimin e gishtit.

Por për trajtimin që po ua bëjnë pjesëtarët e sigurisë së Gjykatës Speciale ishin ankuar në paraqitjet e tyre të para dy ish-krerët e UÇK-së, ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentari, Jakup Krasniqi.

Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, në paraqitjen e tij të parë para Gjykatës Speciale nuk kishte pasur vërejtje për trajtimin ndaj tij. Për dallim nga dy ish-bashkëluftëtarët e tij, Selimi kishte thënë se i kupton rregullat dhe s’ka vërejtje në këtë aspekt.

“Unë i kuptoj rregullat për të ardhur deri këtu, prandaj nuk ka diçka që mund ta nxjerr si vërejtje”, kishte deklaruar Selimi.

Ndryshe nga Selimi, Krasniqi, që ishte paraqitur i pari para Speciales nga katër ish-krerët e UÇK-së që u përfshin në një aktakuzë të përbashkët, ishte shprehur i mllefosur me trajtimin që iu bë. Ai kishte thënë se vetë nuk e ka trajtuar asnjëherë askënd në atë mënyrë.

“Unë dua të deklaroj sot se kurrë në jetën time, në asnjë rast të vetëm nuk i kam trajtuar njerëzit as kaq sa e si më trajtuat mua nga ndërtesa e burgut deri në këtë ndërtesë. E theksoj, kurrë në jetën time s’kam trajtuar njerëz në këtë mënyrë”, kishte deklaruar Krasniqi.

Ndërsa David Hooper, avokat i ish-presidentit Hashim Thaçi ishte shprehur i shqetësuar për reputacionin e klientit të tij, ndërsa e kishte cilësuar të turpshëm transferimin e Thaçit me pranga në duar nga objekti i paraburgimit deri në sallën e gjyqit.

“Shpresoj që me kalimin e kohës reputacioni i këtij personi të vihet në vend. Ishte për të ardhur turp që e pashë me pranga”, ksihte thënë avokati Hooper.

Në një përgjigje për Express, Gjykata Speciale e kishte arsyetuar sjelljen e pjesëtarëve të sigurisë së këtij institucioni në raport me dy ish-krerët e UÇK-së, duke thënë se ata ndjekin standardet më të larta ndërkombëtare për trajtimin e të paraburgosurve.

“Dhomat e Specializuara zbatojnë dhe mbështeten në standardet më të larta ndërkombëtare në institucionin e paraburgimit, si dhe gjatë transportit nga institucioni i paraburgimit në sallën e gjyqit dhe anasjelltas. Një varg masash mbrojtëse janë vendosur për këtë qëllim, përfshirë mbikëqyrjen e brendshme dhe të jashtme nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC) dhe Avokati i Popullit i Dhomave të Sepcializuara. Për më tepër, në çdo kohë mbrojtësi i një të akuzuari ka të drejtë të paraqesë parashtrime për t’u ankuar në lidhje me arrestimin ose ndalimin”, thuhej në përgjigjen e Gjykatës Speciale.