Zbulo të panjohurën

Fatmir Sopi dëshmon në Speciale për Brigadën 153 dhe njësitin BIA

Fatmir Sopi, ish-anëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në sesionin e parë të gjykimit të së martës në rastin e Salih Mustafës që po akuzohet për krime lufte, ka dëshmuar rreth Brigadës 153 dhe njësitit BIA.

Duke u përgjigjur në pyetje të prokurorit Cezary Mihailzcuk, Fatmir Sopi ka bërë të ditur se është kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), dega në Prishtinë dhe anëtar i kësaj organizate në nivel të Kosovës.

“Kam një mandat domethënë, qe katër vite, e pesta është tash”, tha Sopi.

Ai ka thënë se gjatë luftës çlirimtare ka qenë anëtar i UÇK, që i është bashkuar në fillimet e saj të para, konkretisht në vitin 1998.

Kurse, tha se ka pasur rol në themelimin e UÇK-së.

“Unë kam kryer detyrën e organizatorit dhe shtirjes organizative të UÇK-së, në regjionin e Prishtinës, më konkretisht në regjionin e Gollakut”, tha Sopi, i cili shtoi se që në fillim e ka luajtur këtë rol.

Sopi ka konfirmuar kishte edhe njësi tjera të UÇK-së, të cilat qëndronin në regjionin e Gollakut, ndërkaq prokurori kërkoi të dinte nëse kishte ndonjë brigadë të krijuar në Gollak.

“Nuk di si mund ta quaj por organizimet e para të UÇK për regjionin e Karadakut kanë filluar në Gollak, si stacionim e kanë pasur Gollakun”, tha Sopi.

Tutje, ai deklaroi se Brigada 153 është formuar pas përfundimit të organizimit dhe përgatitjeve të duhura për plotësimin e nevojave dhe radhëve të UÇK-së, që ta përfaqësonin brigadën.

Lidhur me këtë brigadë, prokurori e ka pyetur se kur është krijuar kjo brigadë, kurse Sopi bëri të ditur se fillet organizative të saj i ka nga njësitet e formuara pothuajse në të gjitha fshatrat e Gollakut.

“Dhe me plotësimin e kushteve, radhëve me ushtarët e nevojshme dhe kur zona operative e Llapit e ka pa të arsyeshme se janë plotësuar kushtet për zyrtarizimin e kësaj brigade dhe themelimin e saj, është caktuar data nuk më kujtohet, në shkurt të vitit 1999”, ka thënë Sopi.

Sopi ka thënë se në shtëpinë e tij, në shkurt të vitit 1999, në vendin ku shërbente si shtab i UÇK-së për brigadën 153 ka ardhur përfaqësuesi i zonës operative të Llapit, zëvendës komandanti i zonës Kadri Kastrati që ka bërë inaugurimin solemn të Brigadës 153.

“Kadri Kastrati ka qenë përfaqësues i zonës, sigurisht ka qenë i urdhëruar nga komandanti i zonës, Rrustem Mustafa”, ka thënë Sopi.

Gjatë kohës së inaugurimit, në shtëpinë e tij, ai bëri të ditur se nuk i kujtohen të gjithë personat prezent, por se i kujtohet ka qenë Rrahman Dini, edhe Sejdi Veseli, e ai personalisht. Për të tjerë, tha se nuk e di kush ka qenë tjetër.

“Komandanti i brigadës atë ditë nuk është emëruar”, ka thënë Sopi, e se Kadri Kastrati nuk ka deklaruar kush do të ishte komandant i brigadës, por se ka mbetur vend vakant, ndërkaq zëvendës komandant i brigadës është emëruar Sejdi Veseli.

Tutje, ai tha se meqenëse merrej me organizimin e UÇK në terren dhe ishte vazhdimisht në terren në fshatra të Gollakut, u caktua të jetë përgjegjës komandant i mbrojtjes civile. Kurse, shtoi se pozitat e tyre kanë ndryshuar, e se ka filluar si ushtar i thjeshtë, e më pas ka pasur pozitë edhe të zëvendës komandantit dhe komandantit të brigadës.