Zbulo të panjohurën

Fillon regjistrimi i deputetëve në Kuvendin e Kosovës

Të zgjedhurit e popullit që kanë marrë besimin e qytetarëve në zgjedhjet e 14 shkurtit kanë filluar të regjistrohen si deputetë në Kuvendin e Kosovës, shkruan Gazeta Online “Reporteri”.


Në hollin e këtij institucioni gjatë këtyre ditëve pritet secili prej 120 deputetëve të zgjedhur t’i kryejnë procedurat administrative për t’u ulur në karriget e organit legjislativ.

Kujtojmë që Lëvizja Vetëvendosje do të ketë 58 deputetë në legjislaturën e re. Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës që doli subjekti i dytë me 16.9 për qind të votave ka siguruar 19 ulëse ne Kuvendin e Kosovës.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë 12.64 për qind dhe ka siguruar 15 deputetë.

Ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar 7.07 për qind, do t’i ketë në legjislativin e ri tetë deputetë.

20 deputetë tjerë janë nga komunitet joshumicë.

Ndërkohë, më 22 mars, të hënën e javës së ardhshme pritet të konstituohet legjislatura e tetë e Kuvendit të Kosovës.