Zbulo të panjohurën

Flet qytetari që kërkon të hiqet flamuri i Rugovës: Kam qenë shok i studimeve me Hashim Thaçin

Një qytetar po kërkon të largohet flamuri i presidentit Ibrahim Rugova nga institucionet e Kosovës. Në të kundërtën, ai po paralajmëron prishje të qetësisë publike. Ai po e quan provokim vendosjen e këtij flamuri në Presidencë, raporton Gazeta Express

Bajram Hoti në një lidhje direkte në emisionin “Frontal”, në T7 ka sqaruar se pse i ka penguar vendosja e flamurit Dardan në Presidencë.

Ai tha se kjo ndërlidhet me pakënaqësinë e tij lidhur me punën e Vjosa Osmanit në ditën e parë si presidente.

“Unë kam shpreh pakënaqësinë time lidhur me punën në ditën e parë të presidentes. Pakënaqësia ime është private. Kurrë në jetën time privatisht nuk e kam sulmuar askënd përveç armikut. Pakënaqësia ime shprehet me ditën e parë të shefes së shtetit ku pas përfundimit të zgjedhjeve ishte një qetësi dhe kishte komente gjithandej. Unë jam jurist i diplomuar dhe presidentja e shkeli Ligjin”, ka thënë ai.

Më tutje ai tha se flamuri i LDK-së nuk ka vend në Presidencë sepse sipas tij ky flamur nuk është stemë e shtetit.

“Flamuri partiak i LDK-së nuk ka vend në Presidencë. Brenda në zyre është çështje e saj por në oborr garda e FSK-së paraqitet me dy flamuj me atë të Kosovës dhe atë të LDK-së që nga sot është shndërruar në stemë të shtetit”, ka deklaruar më tutje ai.

Me këtë rast sipas Hotit, Osmani sot ka shkelur ligjin.

“Ajo në ditën e parë në ceremoninë e pranim-dorëzimit e shkeli ligjin me të dy këmbët. Çfarë të presin tani qytetarët”, ka deklaruar më tutje ai.

Më tutje ky qytetar në “Frontal”, ka folur edhe për raportet me ish-presidentin Hashim Thaçi.

“Ne kemi qenë shok studimesh bashkë me z. Thaçin edhe e organizimit të luftës, por kjo nuk ka të bëj me këtë rast”, ka deklaruar Hoti.