Zbulo të panjohurën

Gani Geci rrëfen një histori në ‘Facebook’: Me 6 mars në fshatin Llaushë më erdhi një sekser i dërguar nga Albin Kurti

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Gani Geci ka treguar një histori në rrjetin social “Facebook”, se si një person që ai pretendon se e ka dërguar Albin Kurti, ka shkuar në shtëpinë e tij në Llaushë dhe i ka kërkuar që vajza e tij, e cila është deputete e LDK-së, të bashkohet me Listën “Vjosa”.

Siç tregon Geci, personi me të cilin ka biseduar ai, i ka thënë atij që Marigona Geci mund të bëhet zëvendësministre ose të marr ndonjë pozitë tjetër shtetërore, në rast se bashkohet me listën e Vjosa Osmanit.

“Albin Kurti më ka thanë me ardh me bisedu me ty, dhe ai ka dy opsione për ty nëse  ti fillon me bashkpunua me Albin Kurtin dhe Qeverinë Kurti. Po i thash çfarë janë ato opsione? Opsioni i parë, ti mundesh me i dërgua dy zëvendesministra në Qeverinë e Albin Kurtit këdo që dëshiron ti, njerëz tu të besuar dhe për këtë vajza juaj kalon në Grupin parlamentar të LVV. Opsioni i dytë është pak ma i lehtë për ty nëse vajza juaj kalon në listën Guxo mund të bëhet kryetare e grupit parlamentar të listës GUXO dhe ti e emron 1 zëvendesministre  ose edhe ndonjë Ambasadorë”, ka shkruar ai.