Zbulo të panjohurën

Gent Cakaj i quan “të rreme” deklaratat se ai mund të bëhet pjesë e PDK-së

Ka dhënë dorëheqje nga kryediplomati i Shqipërisë, por inkuadrimi në politikën kosovare nuk është arsyeja, sipas Gent Cakajt. Prishtinasi që shërbeu në Qeverinë e Shqipërisë mohon se do të bëhet pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës.

Gent Cakaj, që në fillet e karrierës së tij, konsiderohej fenomen i politikës shqiptare, përfundoi detyrën e tij si ministër për Evropë dhe Punë të Jashtme në kabinetin e kryeministrit Rama.

Është akoma e paqartë se cili do të jetë rrugëtimi i Cakajt, veçse ministri i dorëhequr nuk i jep shans mundësisë që të bëhet pjesë e politikës kosovare. Spekulimet, të cilat Cakajn e lidhin me PDK-në, i ka demantuar vetë ai në një përgjigje të dhënë sot për Gazetën Express.

“Lajme të rreme. Këtë përgjigje e kam dhënë edhe më herët për Express. Unë nuk planifikoj të bëhem pjesë e asnjë partie politike në Kosovë. Kaq”, ka thënë Cakaj.

Edhe sa ishte në detyrë, Cakaj është përmendur se mund ta lërë qeverinë shqiptare, për t’u rikthyer në Kosovë, më saktësisht në PDK.

Cakaj në një intervistë për Gazetën Express prerazi mohonte se mund të bëhej pjesë e ndonjë partie politike në Kosovë.

“Qartë, zëshëm dhe prerë: Jo. Unë nuk planifikoj të bëhem pjesë e asnjë prej partive politike në Kosovë. Çfarëdo pretendimi tjetër është vetëm spekulim i tregtarëve të lajmeve të rreme”, kishte thënë Cakaj.

Edi Rama, në mandatin e tij të dytë si kryeministër i Shqipërisë emëroi në disa prej dikasterët kryesore ministra nga Kosova. Një ndër ta ishte Cakaj.

Më parë, Cakaj ka qenë këshilltar i Ramës, ndërsa, deri sot kur dha dorëheqje, ishte ministër në detyrë, pasi presidenti Ilir Meta, refuzoi ta dekretonte si ministër të Jashtëm për shkak të disa deklaratave të Cakajt që, sipas Metës, ishte pro idesë së shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

Cakaj, 30-vjeçar, vite më parë ishte pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, si aktivist i saj. Kur ai nisi karrierën e tij politike duke mbajtur pozita të larta shtetërore në Shqipëri, pati disa përplasje të ashpra me lëvizjen të cilës i takonte më parë.