Zbulo të panjohurën

Gjykata urdhëron që të konfiskohet dhe të transferohet jashtë Kosovës luani që po mbahej ilegalisht në Gjilan

Gjykata Themelore në Gjilan ka vendosur në lidhje me luanin i cili u mbajt ilegalisht në një restorant në këtë qytet. Gjykata mori vendim që luani të konfiskohet.

Vendimin e gjykatës e ka konfirmuar faqja e Parkut të Arinjve në Prishtinë. Sipas tyre, gjykata i ka obliguar autoritetet përgjegjëse që ta konfiskojnë luanin dhe ta transferojnë atë në një vend të përshtatshëm jashtë Kosovës.

“Më shumë se një vit që kur luani ‘Gjoni’ ishte gjetur se po mbahej ilegalisht diku në rajonin e Gjilanit, gjykata ka vendosur që luani të konfiskohet. Me këtë vendim gjykate autoritetet përkatëse janë të detyruara të zhvendosin luanin nga kafazi ku mbahet dhe t’i gjendet një zgjidhje e përshtatshme jashtë Kosovës. Pavarësisht kësaj, e ardhmja e ‘Gjonit’ ende është e pasigurt. Javën që shkoi ne t’gjithë i kemi bërë thirrje ministrit në detyrë z. Muharrem Nitaj, që të bëjë gjithçka që është në mundësitë e tij si ministër që të bëhet një zgjidhje për luanin sa më shpejt. Ministri Nitaj është përgjigjur me një deklaratë premtuese se ai do të bëjë gjithçka që është e mundur që të gjendet një zgjidhje e shpejtë për këtë rast. Ky premtim i z. Nitaj së bashku me vendimin e fundit të gjykatës më në fund sjell pak dritë në këtë rast shumë të ndërlikuar”, thuhet në njoftimin e kësaj faqeje.