Zbulo të panjohurën

Grupi Koha përfitoi mbi 70 mijë euro nga Qeveria Hoti, Surroi i reagon ministrit Hekuran Murati

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka publikuar një pjesë të listës së kompanive të cilat kishin përfituar nga ndihma prej 60 milionë eurosh në kuadër të Pakos së Rimëkëmbjes, bazuar në numrin e punëtorëve. Megjithëse në këtë listë kanë qenë mbi 36 mijë biznese përfituese, përmes një postimi në Facebook, Murati ka publikuar vetëm listën e 50 bizneseve që kishin përfituar më shumë nga pakoja, që qe shpërndarë nga Qeveria Hoti, në tetor të vitit të shkuar. Publikimin e kësaj liste, Murati e ka arsyetuar “në frymë të transparencës”.

“Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, në frymën e transparencës, po ashtu edhe në zbatim të marrëveshjes financiare ndërkombëtare me Bashkimin Evropian të nënshkruar dhe ratifikuar në Kuvend, publikon listën e 50 bizneseve që përfituan më së shumti nga pako prej 60 milionë eurove, e shpërndarë nga Qeveria e kaluar në tetor të vitit 2020”, ka shkruar ai si përshkrim të listës.

Image

Vendimi i marrë nga Qeveria Hoti për këtë çështje bënte të qartë që “ndarja e mjeteve bëhet për subvencionimin e linjës së pagave për bizneset aktive, bazuar në numrin e të punësuarve të deklaruar në deklaratën e tatimit në pagë të muajit dhjetor 2019, që plotësojnë kushtet: Të kenë statusin e tatimpaguesit aktiv në muajin korrik 2020 në sistemin e Administratës Tatimore të Kosovës dhe Të kenë të dorëzuar deklaratën vjetore, tremujore dhe deklaratën për tatimin e mbajtur në burim në paga, sipas legjislacionit në fuqi”.https://ballkani.info/kompanite-qe-moren-me-se-shumti-para-nga-qeveria-hoti-jane-ato-qe-paten-me-se-paku-nevoje/embed/#?secret=mVvu1Ilf7i

Në të përfshiheshin edhe bizneset e regjistruara në periudhën janar – gusht 2020. Subvencionimi në këtë rast bëhej në bazë të numrit të të punësuarve të deklaruar për muajin korrik 2020.

Image

Siç pati thënë ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, nga kjo pikë e Pakos së Rimëkëmbjes kanë qenë përfituese kompanitë që kanë deklaruar 206 mijë e 852 të punësuar.

“Kjo masë është dizajnuar në bashkëpunim me komunitetin e biznesit dhe është planifikuar si njëra nga masat që në mënyrë direkte dhe të shpejtë do të mbështesë bizneset në adresimin e ndikimit negativ të shkaktuar nga pandemia COVID-19”, pati shkruar ajo në Facebook më 13 tetor.

Pjesa më e madhe nga ky fond prej 60 milionë eurosh ishte dedikuar te bizneset e vogla që kishin të punësuar nga një deri në 50 punëtorë. Mbi 72 për qind të mjeteve ishin drejtuar te këto biznese, ndërsa mbi 80 për qind e mjeteve, sipas Bajramit, ishin alokuar te bizneset që kanë deri në 100 të punësuar.

Postimi i Muratit ka nxitur reagime të shumta, me ndjekës të tij në Facebook që kanë akuzuar ish-pushtetin se u ka ndihmuar kompanive të mëdha, megjithëse vendimi ishte bazuar për të gjithë sektorin privat, në bazë të numrit të të punësuarve.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe Flaka Surroi, drejtoreshë menaxhuese e Grupit KOHA, që është pjesë e listës së publikuar nga Murati. Ajo ia ka kujtuar Qeverisë së re, atë kohë opozitë, që kur ishte marrë vendimi nuk kishte kundërshtuar.

“Opozita nuk është dëgjuar të ketë thënë se nuk bën të përkrahen ata që tash etiketohen të jenë përfituesit më të mëdhenj. Tash, shtatë muaj më vonë, Ministri i Financave zgjedh ta botojë listën e pjesshme të përfituesve, dhe nuk e di për çfarë arsye nuk e boton të plotë. Në listën jo të plotë figuron vetëm KOHA si medium. E rastësishme apo e qëllimshme, mbase ministri na e shpjegon. Në mesin e 50 përfituesve më të mëdhenj, siç e thotë në status, pra është edhe KOHA. Porse në postimin e tij nuk e thotë në asnjë vend se ndarja është bërë në bazë të numrit të të punësuarve – prandaj edhe KOHA del në këtë pjesë të listës, për shkak se në dhjetor të 2019-s i ka pasur 244 punëtorë. 60 milionët janë shpërndarë për mbi 206 mijë të punësuar të sektorit privat. Megjithatë, kjo listë e ‘50 përfituesve më të mëdhenj’ i përfshin vetëm 25 mijë punëtorë, duke treguar qartë se prapa lë një listë shumë të gjatë përfituesish më të vegjël, përfshirë edhe gastronominë, sa për të hequr dilema”, ka shkruar ajo në Facebook.