Zbulo të panjohurën

Haga: Sylejman Selimi e Rrustem Mustafa u angazhuan si këshilltarë politikë për tu mundësuar ndikimin tek deshmitarët e Speciales

Emërimin e ish-komandanti të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimit, si këshilltar qeveritar, Gjykata Speciale, e ka përdorur si provë në shtojcën e kërkesës për t’i mbajtur në paraburgim Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, të akuzuarve për krime lufte.


“Përpjekjet për të ndikuar në dëshmitarët e mundshëm, përfshirë anëtarët e emëruar të JCE, gjithashtu kanë përfshirë punësimin e tyre në poste qeveritare”, thuhet në shtojcën e Speciales.

Në të njëjtin dokumente përmendet emrimi i Selimit në shkurt të 2019-ës, si këshilltar politik i Ramush Haradinajt, ish-kryeministrit të vendit.

Emërimi i tij në këtë pozitë kishte ardhur vetëm pak ditë pasi i njëjti kishte dalë nga burgu, pasi kishte vuajtur pesë vjet nga dënimi i tij me shtatë vjet burgim për krime kundër civilëve serbë gjatë luftës së viteve 1998-1999. Selimi ishte gjetur fajtor për torturimin e një të burgosuri civil në një qendër të improvizuar burgimi të UÇK-së në fshatin Likovc në komunën e Skenderajt.

Selimi pas reagimeve të shumta, atë kohë ishte liruar nga detyra e këshilltarit, menjëherë pas intervistës që e kishte dhënë në para Dhomave të Specializuara, në shkurt të 2019-ës, “por jo para se të merrte mbi 15,000 € pagë pa bërë thuajse asgjë”, thotë dokumenti i Speciales, shkruan Gazeta Insajderi.

Gjykata si provë në shtojcën e kërkesës për t’i mbajtur në paraburgim Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasnitin, të akuzuarve për krime lufte, e ka përdorur edhe angazhimin e Rrustem Mustafës, si këshilltar i Presidentit.

“Në të njëjtën kornizë kohore, Rrustem MUSTAFA ishte intervistuar nga Gjykata Speciale në janarin e 2019. Më 14 shkurt, Thaçi e punësoi atë si këshilltar me një pagë prej 18,000 € në vit”, thuhet në dokumentin e Gjyaktës Speciales.

“Asnjëra prej tyre [v.j. paga e Selimit dhe Mustafës] nuk u bënë të ditur publikisht derisa u zbuluan nga Agjencia Kundër Korrupcionit, përmes deklarimeve të pasurisë”, thuhet në dokumentin e Speciales, shkruan Gazeta Insajderi.

Mustafa e ka mbajtur pozitën e këshilltarit politik, deri në ditën kur Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje nga pozita e presidentit të vendit, kur udhëtoi për në hagë.

Për çka akuzohen Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi?

Aktakuza e përbashkët për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, prej 68 faqesh është konfirmuar më 26 tetor, por u bë publike më 5 nëntor.

Sipas aktakuzës, veprat që rëndojnë ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe me krime kundër njerëzimit.

Po ashtu përmenden edhe akte tjera çnjerëzore, si: torturë, vrasje të paligjshme, zhdukje me forcë e personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999.

Aktakuza pretendon se këto krime janë kryer në disa lokacione në Kosovë, por edhe në disa pjesë në veri të Republikës së Shqipërisë, si në Kukës dhe Cahan.