Zbulo të panjohurën

Hoti flet për emërimet diplomatike, fare nuk e përmend djalin e Haxhi Shalës

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se sot ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryetaren e Kuvendin dhe u.d së Presidentit, Vjosa Osmani.

Hoti ka thënë se i ka uruar shërim të shpejtë Osmanit pas infektimit me Covid-19.

Kryeministri ka bërë të ditur se me Osmanin kanë diskutuar edhe për zhvillimet e fundit dhe emërimet që janë bërë në misionet diplomatike të Kosovës në botë, shkruan Reporteri.

Ai ka thënë se do të ndërmirren veprime konkrete për funksionim efikas të misioneve diplomatike të Republikës së Kosovës dhe përbërja e misioneve diplomatike të jetë në përputhje me ligjin.

“Sot, në një bisedë telefonike, i kam uruar shërim të shpejtë Kryetares së Kuvendit dhe ushtrues së detyrës së Presidentes, znj. Vjosa Osmani.

E njoftova znj. Osmani se Qeveria e Republikës së Kosovës do të përmbyllë së shpejti analizën e rishikimit funksional të rrjetit të misioneve diplomatike të Kosovës. Mbi bazën e kësaj analize, do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme: (1) për të siguruar funksionim efikas të misioneve diplomatike të Republikës së Kosovës; dhe (2) përbërja e misioneve diplomatike të jetë në përputhje me ligjin”, ka shkruar Hoti.

Megjithatë, ai nuk ka përmendur fare, djalin e Haxhit e Shalës i cili u emërua Konsull i Përgjithshëm i Kosovës në Pragë.