Zbulo të panjohurën

Hoxhaj kritikon Qeverinë për politikën e jashtme: Ka pushuar që dy vite

Ish-ministri i punëve të jashtme dhe zyrtari i PDK-së, Enver Hoxhaj ka thënë se Kosova është në periudhë të vështirë në politikën e jashtme, shkruan Gazeta Express.

Hoxhaj në emisionin “Frontal” në T7 tha se në dy vitet e fundit politika e jashtme kosovare ka pushuar.

“Në situata të tillë është e rëndësishme me e përfaqësu interesin e vendit por mos me marrë goditje, jo referendumit por edhe ruajtje e raporteve me ShBA-të dhe me partnerët evropianë. Tash sa ka koordinim me kryeministrit dhe ministres së jashtme nuk e di. Kam përshtypjen që ky vend ka pushuar që ta ketë një politikë të jashtme në dy vitet e fundit” , ka thënë ai.

Më tutje Hoxhaj tha se opoazita duhet që ta ndihmojë Qeverinë në politikën e jashtme, pasi sipas tij ngecja në këtë fushë është në dëm të shtetit.

“Në një situatë të tillë unë mendoj që edhe opozita do të duhej që ta ndihmojë Qeverinë se mos suksesi në politikë të jashtme, në fund të ditës ka të bëjë me shtetin. S’ka të bëjë me performancën apo jo. Ne mund ta kritikojmë z.Kurtin në Kuvend, Qeverinë e tij, mund ta shpërfaqim para qytetarëve që është e paaftë por në fund të ditës kjo do t’i kushtojë Kosovës”, tha ai.

Ai është deklaruar edhe rreth njohjeve që janë përmendur nga Behgjet Pacolli.

Hoxhaj konfirmoi se ka dëgjuar se dy shtete janë të gatshme që ta njohin Kosovën.  

“Kam dëgjuar që dy vende kanë qenë të gatshme që të lëvizin. S’kam folur me z.Pacollin për një gjë të tillë. Mendoj se kushdo që i sjell njohjet do të duhej që të kontaktohej. Mendoj që ka hapësirë edhe më tutje për të lobuar për njohje”, ka thënë ai.