Zbulo të panjohurën

I akuzuari që dyshohet se goditi me boks hekuri të miturin në Malishevë kërkon përjashtimin e gjyqtarit

Të martën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, ka dështuar vazhdimi i gjykimit për lëndim të lehtë trupor, pasi që i akuzuari, XH.SH, ka kërkuar përjashtimin e gjyqtarit të rastit Najzi Morina.

I akuzuari para fillimit të seancës ka deklaruar se ka një kërkesë lidhur me përjashtimin e gjyqtarit.

“Kërkoj përjashtimin e gjyqtarit, pasi që shtatë seanca janë mbajt dhe emri im nuk është përmendur askund, për këtë arsye kërkoj përjashtimin e gjyqtarit”, tha i akuzuari.

Tutje ai shtoi se është i pafajshëm, dhe si pasojë e kësaj aktakuze ai po humbet shkollën dhe punët e tjera jashtë këtij procesi.

Kundër kësaj kërkesë është deklaruar përfaqësuesja e të dëmtuarit A.M, avokatja Liri Krasniqi, e cila tha se kjo nuk mund të jetë arsye për përjashtimin e gjyqtarit.

Pas marrjes së mendimit të palëve, gjyqtari Morina, mori vendim që lënda të dërgohet tek kryetari i Gjykatës Themelore në Gjakovë, për të vendosur lidhur me kërkesën e të akuzuarit Shala.

Prokuroria Themelore në Gjakovë, më 27 qershor 2019 ka ngritur aktakuzë kundër të akuzuarit XH.SH, me arsyetimin se i njëjti, më 19 tetor 2018, rreth orës 16:30, në Malishevë, saktësisht në rrugën “Hamdi Berisha”, me dashje i shkakton lëndime të lehta trupore të miturit A.M.

Tutje, sipas aktakuzës, i pandehuri Shala, fillimisht kishte disa mosmarrëveshje më të dëmtuarin A.M, dhe ditën kritike derisa i dëmtuari ishte duke kthyer nga shkolla për në shtëpi, i akuzuari i del në rrugë dhe i revoltuar e sulmon fizikisht të dëmtuarin, duke e goditur me boks të hekurit ne syrin e djathtë.

Në aktakuzë thuhet se të dëmtuarit i shkakton lëndime të lehta trupore, lëndime këto të konstatuara nga ekspertiza mjeko-ligjore, raporton BetimipërDrejtësi.

Sipas aktakuzës, me këtë i akuzuari Shala, akuzohet se ka kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, nga neni 188, paragraf 2, lidhur me paragraf 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me burgim deri në tre vjet.