Zbulo të panjohurën

I ‘dridhet’ karrigeja Ismet Beqirit, Dega e parë e LDK-së në Prishtinë i kërkon dorëheqjen

Lidhja Demokratike e Kosovës është radhitur e treta në nivel nacional. E LDK pësoi humbje të thellë edhe në Prishtinë ku morri vetëm 17,16% të votave. E Dega e parë e kësaj partie në Prishtinë, ka kërkuar dorëheqjen e parevokueshme të kryetarit të kësaj dege, Ismet Beqirin, të cilin e konsiderojnë përgjegjësin kryesor të, siç e quajnë atë, rezultatit negativ.

Kjo degë e LDK’së, pas një mbledhjeje urgjente të mbajtur të hënën, një ditë pas numërimit të votave nga zgjedhjet parlamentare, me anë të një komunikate ka thënë se, sikurse në zgjedhjet parlamentare të 2019-ës, ashtu edhe në të 2021’ës, ka ndikuar në “rezultatin më negativ që nga themelimi i partisë”, shkruan Reporteri.net.

“Për më tepër, ne vlerësojmë se, Kryetari Beqiri, është shkaktari kryesor i gjendjes së krijuar në degën e I-rë në LDK në Kodrën e Trimave, pasi që sikurse në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019, e poashtu edhe në këto të fundit të vitit 2021 ka ndikuar të kemi rezultatin më negativ që nga themelimi i partisë së krijuar nga Presidenti historik Ibrahim Rugova”, thuhet në komunikatën e degës së parë të LDK-së.

Tutje, ata thonë se kryetari aktual i kësaj dege ka dështuar të propozojë kandidatët për nënkryetar dhe sekretar.

Përgjatë ditës së hënë, si pasojë e rënies së rezultatit në zgjedhjet parlamentare, udhëheqje nga pozita e kryetarit të LDK-së dha edhe Isa Mustafa.