Zbulo të panjohurën

I kërkuari për kërcënimin për sulm ndaj spitaleve, “viziton” lirshëm redaksinë e Sinjalit dhe kërkon të largohet lajmi

Mbrëmë Gazeta Sinjali publikoi emailin ku shihej kërcënimi për sulm ndaj spitaleve që alarmoi Policinë më 6 prill dhe emrin e personit që dyshohet se e dërgoi atë.

Ajan Kongjeli, i dyshuari për këtë kërcënim, që sipas informacioneve të Sinjalit është në kërkim nga Policia, sot erdhi në redaksinë e Gazetës Sinjali në Prishtinë, që gjendet pikërisht para stacionit të Policisë “Qendra”, me kërkesën për ta larguar lajmin që u publikua mbrëmë.

Fillimisht, në  orën 11:22 ai ka telefonuar në numrin kontaktues të Gazetës Sinjali, ku ka thënë se ku i keni zyrat ju se “me duhet të vij për një lajm.”

I njëjti pasi ka ardhur në zyrën e Sinjalit, ka kërkuar të fshihet lajmi dhe më pas është larguar, duke thënë se po shkoj deri në Polici e kthehem prapë”.

Por ky person, edhe pse po kërkohet nga Policia, lirshëm ka “vizituar” zyrën e Sinjalit që gjendet pikërisht përballë Policisë.

Kongjeli përmes një emaili kishte paralajmëruar se në sulmin që do t’ua bënte spitaleve “do të ther sa më shumë njerëz”.

“Përshëndetje emri im Ajan Kongjeli & Unë jetoj në Prishtinë Kosovë. Këtë të martë ose nesër në 1PM EST unë do të hyj në spitalet e mia lokale me një thikë dhe do të ther sa më shumë njerëz që mund të spitalet ku do të shkoj janë Qendra Klinike Universitare e Kosovës, Spitali i Mijëvjeçarit, EUROMED, Ndërkombëtare Spitali, Spitali Amerikan, Sante Plus Spitali i Përgjithshëm i Kosovës, Ars Medica, Qendra laserike e Syrit “KUBATI”, Spitali Rajonal i Mitrovicës dhe Spitali i përgjithshëm. Askush nuk mund të më ndalojë!”

Megjithatë më 6 prill, Policia e Kosovës njoftoi se pas marrjes së informacionit për kërcënim, me kohë janë ndërmarrë masat parandaluese dhe të sigurisë.