Zbulo të panjohurën

IHMK: Situata mund të përkeqësohet sërish me vërshimet

Reshjet e shiut dhe të borës pritet të vijojnë pasditen e sotme dhe nesër, ndërsa njëjtë parashikohet edhe në dy ditët e para të javës së ardhshme. Kështu ka thënë drejtoresha e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, Letafete Latifi.


Latifi, ka thënë se duhet të jemi në gjendje gatishmërie, pasi që, nga këto reshje edhe mund të përkeqësohet situata nga vërshimet.

“Sipas parashikimit meteorologjik, reshjet do të vazhdojnë edhe sot pasdite, do të fillojnë reshjet e borës, kështu që nesër me datë 10 janar do të fillojnë edhe reshje shiu, të përziera me reshje bore, dhe kjo situatë mund të përkeqësojë përsëri edhe gjendjen në lumenjtë e Kosovës, kështu që duhet të jemi në gjendje gatishmërie, sepse nuk është tejkaluar krejtësisht situata që ishte dje në disa zona të Kosovës”, ka thënë Latifi.

Ajo thotë se për momentin, në disa zona, niveli i lumenjve ka pasur rënie, por nëse shkon gjithçka sipas parashikimeve që ka bërë Instituti Hidrometeorologjik, prapë do të ngrihet niveli i tyre.

“Niveli i ujërave në disa lumenj ka filluar të ketë rënie, me përjashtim të pikës mbledhëse, ose pikës së fundit të pellgut të Lumit Drini, që është ende në pikën kritike, ndërsa në lumenjtë me lartë në pjesën e Gjakovës, në pikën matëse në Kpuz, ka një rënie të lehtë të ujërave. Por me shkrirjen e borës dhe me reshjet që pritet të ndodhin nesër, nëse shkon gjithçka sipas parashikimeve, mund të ngrihen përsëri këto nivele”, ka thënë Latifi në një intervistë për KosovaPress.

Latifi thotë se nga reshjet e fundit ka pasur përmbytje në disa zona të Kosovës, ku zonat me të prekura kanë qenë ajo e Dukagjinit, e Gjakovës, Malishevës, Rahovecit, Suharekës, si dhe komuna e Drenasit.

“Nga reshjet e dy ditëve të fundit që ishin reshje të pandërprera dhe me një intensitet të lartë, krijuan një situatë jo të mirë me vërshime ose përmbytje në disa zona të Kosovës. Zona me e goditur ka qenë rrafshi i Dukagjinit, kryesisht Kosova perëndimore, dhe komunat me të goditura kanë qenë, ajo e Gjakovës, Malishevës, Suharekës, Rahovecit, dhe komuna e Drenasit, një pjesë e rrafshit të Kosovës që përfshihet”, ka thënë Latifi.

Latifi ka thënë se Instituti Hidrometeorologjik, ka njoftuar me kohë institucionet relevante për t’u përgatitur në situata të tilla, dhe shpreson që edhe ata kanë mbajtur komunikimin me institucionet tjera të nivelit lokal ne komuna.