Zbulo të panjohurën

IKSHPK apelon sërish: Ndaloni tubimet, qëndroni në shtëpi

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka dhënë sërish rekomandimet për t’u mbrotjur nga koronavirusi, sidomos tani pas shfaqjes së variantit të ri edhe në Kosovë.

IKSHPK-ja përmes një komunikate përsëriti thirrjen për zbatimin e të gjitha masave të përgjithshme dhe atyre specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19 derisa vë theksin te ndalimi rigoroz i tubimeve gjatë fushatës.

IKSHPK ka bërë pesë rekomandime e gati të gjitha prekin më së shumti partitë politike, që tash e disa javë po organizojnë tubime të mëdha me simpatizantë në hapësira të mbyllura.

“Masat parandaluese janë të njëjta me aksent të veçantë se personat pozitivë duhet të qëndrojnë në shtëpi për të parandaluar përhapjen në familje dhe në komunitet. Me zvogëlimin e kontakteve, do ta bëjmë të mundur ndërprerjen e përhapjes së infeksionit”, thuhet në rekomandimet e këtij instituti.

Rekomandojmë edhe një herë:

1. Të qëndrohet në shtëpi, dhe dalja të jetë vetëm për nevoja të domosdoshme;

2. Ndalimi rigoroz i takimeve me njerëz me të cilët nuk jetoni në bashkësi, pos për qëllime specifike;

3. Ndalimi rigoroz i tubimeve sipas vendimeve në fuqi;

4. Respektimi rigoroz i masave kufizuese në aktivitetet publike;

5. Kufizimi i punës për veprimtaritë jo-esenciale dhe vend-ngjarjet duke redukuar edhe kohën e punës gjatë ditës.

IKSHPK vlerëson se këto masa mund të ndërprejnë rritjen e numrit të rasteve, të parandalojnë mbingarkesën e hospitalizimeve dhe të parandalojnë rritjen e numrit të vdekjeve.

IKSHPK apelon tek të gjithë qytetarët, institucionet dhe organizatat publike dhe private, për respektimin dhe ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19, duke marrë parasysh dispozitat e Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, dhe vendimet në fuqi mbi masat dhe obligimet e institucioneve për zbatimin e masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.

Në veçanti, bëjmë thirrje për zbatimin e rekomandimeve dhe respektimin e masave kufizuese për aktivitetet publike, përkatësisht kufizimeve për grumbullimin e qytetarëve dhe tubimeve publike.

Grumbullimi i qytetarëve pa maska dhe pa mbajtje të distancës shton rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent në mesin tonë.

Apelojmë tek institucionet përgjegjëse, përkatësisht Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse që të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave dhe vendimeve të tjera në fuqi në zbatim të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës.

Përndryshe, qutoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar të martën 245 persona të infektuar me koronavirus, pas testimit të 2,615 mostrave.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se në 24 orët e fundit janë regjistruar tri viktima me këtë virus.

“Rastet e vdekjes janë nga komunat: Mitrovicë 1 rast (64 vjeç), Podujevë 1 rast (76 vjeç) dhe Suharekë 1 rast (62 vjeç)”, është thënë në njoftim.

Sipas IKSHPK-së, nga sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi, të martën janë shëruar 189 persona, derisa raste aktive janë 6,429.

Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para me koronavirus në Kosovë, autoritetet shëndetësore në këtë shtet kanë regjistruar 60.745 persona të infektuar me këtë virus.

Prej tyre, 1,506 pacientë kanë vdekur.