Zbulo të panjohurën

Infektologu Ramadani: Masat anti-COVID duhet të vazhdojnë derisa të arrihet 70 për qind e vaksinimit të qytetarëve

Infektologu Hamdi Ramadani ka thënë se megjithëse kanë rënë rastet me COVID-19 dhe situata është më e qetë, qytetarët duhet të vazhdojnë të mbajnë maska, distancë dhe të vaksinohen.


Sipas tij, situata me pandeminë është më e mirë në krahasim me javët e kaluara, por nuk duhet të relaksohemi pa arritur në 70 përqindja e të vaksinuarve.

Ramadani në prononcim për Telegrafin tha se është shumë me rëndësi që procesi i vaksinimit po shkon mirë dhe qytetarët janë të interesuar për ta marr vaksinën antiCOVID.

“Kemi rënie të madhe të rasteve me COVID-pozitiv, kemi edhe një rënie e madhe të të vdekurve, që do të ishte mirë të binte në zero, por mund të themi se në krahasim me javët e kaluara është situatë më pozitive. Ajo që është e rëndësishme është që vaksinimi në masë është duke shkuar mirë edhe pse është një rënie ditët e fundit në shifra, jemi mësuar t’i shohim 15 mijë e 20 mijë të vaksinuar brenda ditës, por megjithatë tash kjo është për tu përshëndetur për shkak se më shumë se 570 mijë qytetarë janë të mbrojtur nga coronavirusi”, tha Ramadani për Telegrafin.

Megjithatë, siç thotë infektologu Ramadani, nuk bën që të relaksohemi derisa të arrihet vaksinimi i 70 për qind të popullsisë.

“Kjo gjendje është edhe falë masave antiCOVID, maskave, distancës, masa të rëndësishme dhe duhet të vazhdojnë ende sepse e kanë efektin e vet, duhet të vazhdohen. Derisa të arrijë shifra prej 70 % duhet të vazhdojnë masat, kur të arrijmë shifrën e përmendur, mund të jemi në një situatë shumë më të mirë, më të qëndrueshme dhe mendoj me një pandemi të kufizuar, por duhet patjetër të kalojë shifra prej 70% të qytetarëve të planifikuar për tu vaksinuar”, theksoi Ramadani.

Ai thotë se tash për tash gjendja është e qëndrueshme, por masat antiCOVID duhet të vazhdojnë të jenë në fuqi.

“Kur e kemi një numër kaq të madh të qytetarëve imun, ata të vaksinuar dhe një pjesë e atyre që e kanë kaluar coronavirusin, pastaj duke vazhduar vaksinimi prapë, bazuar në këto të dhëna statistikore, mendoj që situata në vend është e qëndrueshme relativisht, për faktin që qytetarët po vaksinohen, një numër të madh që janë imunizuar”, theksoi Ramadani.

Sipas tij, nëse arrihet imunizimi i popullsisë ashtu siç është planifikuar, muajt e parë të vitit të ardhshëm do të na gjej me një gjendje më të mirë sa i përket pandemisë.

“Mund të themi se janari, shkurti, marsi do të na gjej në një gjendje më të mirë, më relaksuese e me pak infektime, e me zero vdekje”, thotë ai.

Infektologu, Hamdi Ramadani, ka thënë për Telegrafin se duhet të bëhet krahas vaksinimit antiCOVID edhe vaksinimi kundër gripit sezonal.

“Tash na vjen epidemia sezonale me gripin A apo B, virusi që veç tash fillon në muajin nëntor, ju e dini që kemi vaksinën kundër gripit, që duhet të jepet tek qytetarët, që duhet tash ta marrin, sepse vaksina antiCOVID nuk i mbron qytetarët nga gripi sezonal, ajo është vaksinë krejtësisht tjetër”, theksoi Ramadani për Telegrafin.https://gjc.gjirafa.com/Home/IndexR?configId=5563-1&gjid=57683215&v=2.1&guid=3b08ed18e10648c898d7be7ebd36093c07cc27f983ae48509fc1d58feef0844d

Sipas Ramadanit, ende nuk dihet se çka ndodh kur COVID-19 dhe gripi sezonal takohen mes vete, pra nuk dihet nëse ashpërsohet coronavirusi apo zbutet.

“Ende nuk dihet se çka do të ndodhë kur virusi COVID-19 do të pakohet dhe të përballet me gripin A apo B, ende nuk kemi të dhëna të mjaftueshme, se si do të veproj nëse virusi COVID-19 do të ashpërsohet apo do të zbutet”, tha Ramadani.

Ndërkaq, nga Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje për Telegrafin kanë njoftuar se në fillim të vitit janë blerë vaksinat kundër gripit sezonal.

Po ashtu, ata theksojnë se këto vaksina pritet të vijnë në Kosovë në fund të muajit tetor.https://gjc.gjirafa.com/Home/IndexR?configId=5563-1&gjid=8833935&v=2.1&guid=3b08ed18e10648c898d7be7ebd36093c07cc27f983ae48509fc1d58feef0844d

“MSh i ka kryer obligimet financiare që në fillim të vitit dhe i ka blerë vaksinat kundër gripit sezonal të cilët, sipas UNICEF-it, pritet të arrijnë në Kosovë në fund të këtij muaji dhe të fillohet me vaksinimin e grupeve prioritare për vaksinim kundër virusit të gripit sezonal”, thuhet në përgjigje.

Ndërkaq, sa i përket mundësisë për një valë të re të COVID-19, ata thonë se janë të përgatitur për çfarëdo fluksi të pacientëve.

“Institucionet shëndetësore janë të përgatitura për ta përballuar çfarëdo fluksi të pacientëve”, thuhet në përgjigjen e tyre.