Zbulo të panjohurën

Inspektorati dënon LDK-në me 2000 euro për tubim

Drejtori i Inspektoratit të Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri ka bërë të ditur se Lidhja Demokratike e Kosovës është ndëshkuar me dy mijë euro për shkelje të rregullave të pandemisë në një tubim zgjedhor

Tahiri e ka publikuar gjobën që i është vënë kësaj partie dhe ka thënë se askush nuk është mbi ligjin.

“Askush mbi ligjin! Zbatimi masave për parandalimin e shpërndarjes së virusit, është i domosdoshëm. Shkeljet sanksionohen në bazë të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës – neni 25, paragrafi 1.
Iu bëjmë thirrjeve subjekteve politike që të respektojnë ligjet dhe vendimet që vet i kanë votuar. Në të kundërtën, gjobat iu shkojnë në zyrat qendrore të partive, për secilin tubim në Prishtinë”, ka shkruar ai.

Gjatë ditës Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka kërkuar edhe njëherë që të respektohen masat mbrojtëse kundër COVID-19.

Nga IKSHPK është thënë se respektimi i masave duhet të bëhet edhe gjatë tubimeve publike.

“Në veçanti, bëjmë thirrje për zbatimin e rekomandimeve dhe respektimin e masave kufizuese për aktivitetet publike, përkatësisht kufizimeve për grumbullimin e qytetarëve dhe tubimeve publike”, është thënë nga IKSHPK.