Zbulo të panjohurën

Katolikët u përmendën si kategori e veçantë në aktakuzën e Thaçit dhe të tjerëve, vjen reagimi nga publicistit Ndue Ukaj

Gjykata Speciale dje ka publikuar aktakuzën e konfirmuar ndaj krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi.

Në një pjesë të kësaj aktakuze ku pretendohet për krimet që kanë kryer krerët e UÇK-së, Specialja ka paraqitur katolikët si grup i veçantë, bashkë me serbët, ashkalinjët dhe romët.

Për këtë formulim të Speciales ka reaguar shkrimtari dhe publicisti Ndue Ukaj, i cili i takon besimit katolik.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Ukaj ka thënë se formulimi i tillë është i marrë, puro politik dhe përbën një mega skandal.

“E vërteta është se shqiptarët – katolikë, myslimanë, protestanë dhe të pafe – së bashku kanë zhvilluar luftë për liri, pavarësi dhe demokraci, në atdheun e tyre autokton, ku janë shtypur e vrarë nga regjimi barbar i Serbisë. Një tendencë e tillë qartësisht ka prapavijë të rrezikshme politike”, ka shkruar Ukaj.