Zbulo të panjohurën

Këta janë emrat e Ministrave të Listës së Vjosa Osmanit në Qeverinë Kurti 2

Më 22 mars do të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, ku pritet të zgjidhen organet drejtuese të institucionit ligjvënës, por nuk dihet nëse po këtë datë do të votohet zgjedhja e Qeverisë.


Ndërsa ende nuk ka një datë zyrtare për zgjedhjen e ekzekutivit, kanë nisur të qarkullojnë emrat që pritet të emërohen në krye të dikastereve qeveritare.

Gazeta Online “Reporteri.net” mëson se janë tre emra të mundshëm që po diskutohen nga Lista “Guxo” për t’u bërë ministra në Qeverinë Kurti 2.

Në krye të Ministrisë së Punëve të Jashtme po përmendet se do ta emërojë Donika Gërvallën, Faton Peci për ministër të Kulturës, kurse Haxhi Avdyli për ministër të Shëndetësisë.

Gazeta Online “Reporteri.net”, ka kontaktuar me Avdylin i cili ka siguruar votat për deputet për ta pyetur nëse mund të jetë ministër i Shëndetësisë, pasi është me profesion edhe mjek.

Avdyli nuk ka pranuar të japë detaje.

“Nuk mund të flas për këtë temë”, ka thënë ai shkurt për Reporteri.net.

Por burime të gazetës mësojnë se emri i tij po diskutohet mes Listës “Guxo” dhe VV-së, për ta drejtuar shëndetësinë kosovare.

Avdyli po diskutohet se mund të emërohet ministër i Shëndetësisë, pasi Arben Vitia mund të mos propozohet ministër, pasi në zgjedhjet lokale që mbahen në tetor të këtij viti, pritet të propozohet nga Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës.

Ndryshe, emrat tjerë që janë lakuar si të mundshëm për t’u bërë pjesë e kabinetit të qeverisë Kurti 2 janë edhe: Albulena Haxhiu ministre e Drejtësisë, Xhelal Sveqla ministër i Punëve të Brendshme, Besnik Bislimi ministër i Financave, Arbërie Nagavci ministre e Arsimit.