Zbulo të panjohurën

Këto kategori do të marrin të parat vaksinën anti-COVID në Kosovë

Kosova pritet që të nisë fushatën e vaksinimit anti-COVID gjatë muajit shkurt me mbi 100 mijë vaksina të “AstraZenecas”, të cilat pritet të vijnë nga koalicioni ndërkombëtar COVAX.

Ndonëse autoritet shëndetësore në disa vende evropiane rekomandojnë që vaksina britanike “AstraZeneca” të përdoret vetëm për personat nën 65 vjeç, nga Ministria e Shëndetësisë e Kosovës kanë thënë për “Zërin” se do të ndjekin këshillat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) sipas së cilës nuk ka kufizime për moshën në lidhje me këtë vaksinë.

Po ashtu nga MSH-ja kanë treguar edhe kategoritë të cilat do të vaksinohen të parat me vaksinën që pritet të vijë gjatë këtij muaji.

“Punonjësit shëndetësorë, personat mbi 85-vjeç, banorët në qendrat e të moshuarve dhe punëtorët socialë si dhe personat me sëmundje kronike, janë të parët që do të vaksinohen me kontingjentin e parë prej 100 800 vaksinave që COVAX ka paralajmëruar se në Kosovë do të shpërndahen në shkurt”, kanë thënë për “Zërin” nga Ministria e Shëndetësisë.

Në mbarë Evropën, por edhe përtej saj, shumë vende po hezitojnë t’i lirojnë masat anti-COVID, ndonëse kanë nisur fushatën e vaksinimit. Gjermania, për shembull, i ka shtyrë këto masa deri më 7 mars.

E Kosova, si një ndër vendet e pakta në Evropë që ende nuk e ka nisur vaksinimin e popullatës, ka vendosur sot të lehtësojë masat duke hequr orën policore dhe duke zgjatur orarin e punës së bizneseve në komunat në Zonën e kuqe deri në orën 22:00.