Zbulo të panjohurën

Klinikat e QKUK-së dhe spitalet të mbushura me pacientë me COVID, merren masa për shtim kapacitetesh

Shërbimi Spitalor, Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka bërë të ditur se ka marrë masa për t’i shtuar kapacitet për trajtim të pacientëve me COVID-19.

Për momentin në QKUK dhe në spitale janë në trajtim 740 pacientë, prej tyre 571 janë me COVID-19, raporton Zeri.info.

Në një përgjigje për “Zërin”, SHSKUK-ja ka bërë të ditur se janë marrë masa për t’i rritur kapacitetet hapësinore për trajtimin e rasteve.

“SHSKUK-ja ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për shtim të kapaciteteve hapësinore për trajtim të rasteve, por ka mobilizuar edhe stafin e mjekëve, të infermierëve dhe atij mbështetës, që po merren me trajtimin e rasteve të dyshuara dhe konfirmuara me COVID”, kanë thënë nga SHSKUK-ja.

Bëhet e ditur se nga 571 pacientë me COVID-19 sa po trajtohen në klinikat e QKUK-së dhe në spitalet rajonale, 539 janë në oksigjenoterapi, 27 në CPAP dhe 9 në respiratorë.

Në klinikat e QKUK-së janë duke u trajtuar 245 pacientë me COVID-19, ndërsa më e ngarkuara është Klinika Infektive, ku po trajtohen 116 pacientë, kanë bërë të ditur për “Zërin” nga SHSKUK-ja.

Ndërsa në shtatë spitalet rajonale po trajtohen 326 pacientë me COVID-19, ku numrin më të madh e ka Spitali i Gjilanit me 76 pacientë.