Zbulo të panjohurën

Komandant Lata: Lulëzim Basha ishte aty kur u arrestova, kishte maskë, por e njoha

Kaseta e Milaim Bellanicës me fakte nga masakra e Krushës së Madhe, po del të mos jetë dëshmia e vetme e “humbur”.

Në një rrëfim për Top Channel, ish-komandanti i UÇK-së për zonën operative të Llapit, Latif Gashi tregon se gjatë arrestimit nga UNMIK në janar të vitit 2002 i ishte marrë si provë edhe ditari i tij nga lufta, e që i ishte zhdukur dhe nuk ishte proceduar asnjëherë si provë materiale.

Për këtë, 11 vjet pas EULEX dhe Prokuroria Speciale ishin vënë në kërkim të gjetjes së ditarit nga dosja e Gashit, por si përfundim ishte konstatuar “i humbur me gjasa gjatë periudhës kur UNMIK ka udhëhequr këtë rast”.

“Unë jam akuzuar në një vend të caktuar, për kinse krime, a ditari im e ka përshkruar gjendjen reale faktike të ndodhur në kohë, dhe ai ditar e demantuar akuzën plotësisht. Nuk i ka konvenuar drejtësisë ndërkombëtare dhe e kanë zhduk”, shprehet Latif Gashi, ish-komandant i UÇK-së në zonën operative të Llapit.