Zbulo të panjohurën

Komandanti i FSK’së: Në mars fillon dërgimi i ushtarëve në misione diplomatike

Kuvendi i Kosovës ka votuar pro propozimit të Qeverisë për dërgimin e trupave të FSK-së në mision jashtë vendit. 92 deputetë kosovarë kanë votuar pro dërgimit të ushtarëve të Ushtrisë së Kosovës për mision të përbashkët me ushtrinë e Iowa-s së SHBA-së.

Komandanti i FSK’së, Rrahman Rama në emisionin Frontal në T7, ka thënë se për momentin nuk kanë datë të caktuar se kur do të nisen në misione ushtarët.

“Jemi ende në proces se në cilin ven d do të shkojmë. Ne nuk e dimë, varet prej shtetit që e udhëheq atë mision. Ne nuk e dimë datën e saktë por në mars fillon misioni. Tash janë disa çështje procedurale që duhet ti rregullojmë me ushtrinë amerikane”, ka thënë Rama.

Më tutje komandant Rama, tha se ushtarët e FSK’së në këto misione do të përfaqësohen me emblema të shtetit dhe me elemente të Kosovës.

“Ata që do të marrin pjesë më së pari padyshim që do të jenë pjesë të historisë. Ata do të shkojnë si ushtarë të Republikës së Kosovës, do të jenë me uniformë të FSK’së, me emblemë me flamur me të gjitha dhe do të jemi në bashkëpunim me ushtrinë amerikane. Ata që do ta kenë fatin që të marrin pjesë në atë mision duhet ti ndjekin rregullat e ushtrisë amerikane. Armatimi do të jetë i ynë”, ka thënë Rama.

Për sa i përket përzgjedhjes së ushtarëve që do të marrin pjesë në këto misione, Rama tha se do të zgjedhën vetëm ata që e meritojnë.

“Ne i përzgjedhim njerëzit që e meritojnë, që dinë dhe që janë profesional. Lavdërim më i madhi është se kur ndodhin këto gjëra dhe jo vetëm dje por e kemi dëshmuar që fale profesionalizimit jemi këtu ku jemi”, ka thënë ai.

E për ta bërë një gjë të tillë, komandanti i FSK’së tha se nuk do të kenë vështirësi.

“Nëse krahasohemi me të tjerët jemi mirë, sidomos krahasuar me këta në rajon. 95% e pjesëtareve tanë në çdo aktivitet që kanë marrë pjesë kanë dal studentë të mirë. Edhe në shtetet që janë shumë më të avancuara se ne edhe se rajoni jonë. Prandaj ne nuk kemi vështirësi në përzgjedhje”, ka deklaruar ai. /Gazeta Express/