Ai është një shtetas i Kosovës, i cili ka leje të përkohshme qëndrimi në Slloveni dhe së fundmi ishte rikthyer aty nga Belgjika. Ai punonte në Kranj të Sllovenisë, por kishte udhëtuar për punë në Belgjikë disa kohë më parë, ka njoftuar kryeministri slloven.

Sipas kryeministrit Jansha, autoritetet belge kanë lajmëruar ato sllovene se i njëjti person kishte rezultuar pozitiv tek ata më 16 janar, në një kohë kur veçse ishte larguar nga Belgjika.

Më vonë u zbulua se kosovari kishte dy teste – njëri ishte pozitiv dhe tjetri negativ – dhe vetëm testi negativ ishte përdorur nga ai kur ka kaluar kufirin.

Përveç një rasti tashmë të konfirmuar, kryeministri Jansha tha se ka edhe dy raste të dyshuara si të infektuar me variantin britanik të COVID-19 në Slloveni.

Jansha tha se këtë javë do të nevojitet një rishikim i masave anti-covid të qeverisë sllovene.

Sllovenia, disa ditë më parë vendosi në fuqi ​​disa masa anti-covid të cilat parashihnin hapjen e kopshteve dhe kthimin e nxënësve deri në klasë të tretë, në shkolla të martën.

Kryeministri tha se aktualisht shkollat ​​po hapen sipas programit të paraparë nga qeveria, pra në nëntë rajone.